Shqipëria Postuar më 14 Korrik 2026, 10:45

Tregu i kapitaleve me “rregulla të reja loje” - Poshnjari: Emetuesit e titujve do të kenë detyrime të reja për publikimin e informacionit

Nga Ledina Elezi

Tregu i kapitaleve me “rregulla të reja loje” - Poshnjari:

Me projektligjin e ri për transparencën e titujve qeveritarë, emetuesit e këtyre titujve, ose shoqëritë e listuara në tregun e rregulluar, janë të detyruar të bëjnë publik çdo informacion të rëndësishëm. Projektligji parashikon kërkesat që duhet të plotësojnë emetuesit pas momentit të emetimit të titujve.

Në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtorja e Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Tregut të Kapitaleve në AMF, Patris Poshnjari, u shpreh se ky projektligj do të ndikojë në zhvillimin e tregut vendas të kapitaleve.

“Qëllimi i projektligjit nuk është vetëm përmbushja e detyrimeve të procesit të integrimit, por edhe krijimi dhe zhvillimi i tregut vendas të kapitaleve si alternativë financimi për bizneset dhe alternativë investimi për investitorët. Për arritjen e këtij qëllimi është e domosdoshme rritja e standardeve të transparencës, në mënyrë që investitorët të marrin vendime të informuara. Ky është edhe synimi kryesor i projektligjit: të rrisë transparencën, të forcojë besimin e investitorëve dhe të zgjerojë gamën e instrumenteve financiare, e cila aktualisht është e përqendruar kryesisht te titujt e qeverisë dhe disa obligacione të emetuara përmes ofertës private”, u shpreh Poshnjari.

"Informacionet e rregulluara" duhet të depozitohen dhe të ruhen në një pikë të vetme të centralizuar, të quajtur Mekanizmi Zyrtar i Caktuar (Officially Appointed Mechanism). Ky mekanizëm është një nga instrumentet kryesore të përdorura në Bashkimin Evropian për grumbullimin dhe ruajtjen e informacionit të emetuesve. Ai u mundëson investitorëve të kenë akses në informacion të krahasueshëm dhe të besueshëm, në mënyrë që të marrin vendime të informuara për blerjen, shitjen ose mbajtjen e instrumenteve financiare në portofolin e tyre tha Poshnjari. Ky mekanizëm kombëtar do të jetë i lidhur me atë evropian.

“Një tjetër risi lidhet me krijimin e European Single Access Point (ESAP), pika e vetme evropiane e aksesit në informacion financiar. Kjo do të thotë se mekanizmi që do të krijohet në Shqipëri duhet të jetë i ndërlidhur me ESAP-in, në mënyrë që informacioni i publikuar nga emetuesit shqiptarë të jetë i aksesueshëm edhe në nivel të Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.

Në rast të shkeljeve të detyrimeve të transparencës, qofshin nga persona fizikë apo juridikë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të ketë kompetencën të vendosë masat administrative dhe sanksionet e parashikuara në projektligj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat