Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2025, 14:03

Tre fushata, 250 mijë rivlerësime pronash/ Tatimi i ulët e rritja e çmimeve, interes për përditësimin e vlerës së pasurisë

Nga Scan TV

Tre fushata, 250 mijë rivlerësime pronash/ Tatimi i ulët e rritja

Në më shumë se një dekadë, janë zhvilluar tre fushata të veçanta që u kanë dhënë mundësi individëve të përditësojnë vlerën e pasurive të tyre me çmimet reale të tregut, duke përfituar nga norma tatimore të reduktuara. Këto fushata janë kthyer në një praktikë të përsëritur nga qeveria, me qëllimin për të rritur transparencën, për të formalizuar tregun e pasurive të paluajtshme dhe për të shtuar të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave zyrtare janë zhvilluar tre skema të tilla ndër vite:

Në periudhën 2011–2013, tatimi ishte vetëm 1%, dhe në këtë fazë u kryen 95,681 aplikime, duke sjellë në arkën e shtetit rreth 4 miliardë lekë.

Gjatë 2016–2017, norma u rrit në 2%, ndërsa numri i aplikimeve ra në 64,686, por të ardhurat u rritën në 5.7 miliardë lekë.

Fushata më e fundit, në vitet 2020–2022, pati një tatim prej 3% dhe solli 94,298 rivlerësime, me të ardhura që kapën vlerën e 13.8 miliardë lekëve.

Në total, janë realizuar 254,665 rivlerësime dhe janë arkëtuar 23.5 miliardë lekë në buxhetin e shtetit.

Këto rezultate kanë shërbyer si bazë për propozimin e një fushate të katërt, e cila parashikohet të nisë më 1 janar 2026 dhe të zgjasë deri më 30 shtator. E veçanta e kësaj skeme të re është tatimi 5%, më i larti deri më tani, por gjithsesi më i favorshëm se tatimi mbi fitimin në shitblerje të zakonshme.

Përveç përfitimeve fiskale, autoritetet synojnë që përmes këtij mekanizmi të ulë informalitetin në transaksionet me prona, duke afruar vlerat e deklaruara me ato reale të tregut. Rritja e ndjeshme e çmimeve të banesave në vitin 2024, me mbi 20% në nivel vjetor, është një tjetër faktor që e bën këtë ndërhyrje të domosdoshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat