Shqipëria Postuar më 5 Maj 2026, 13:40

Trashëgimia kulturore, në fokus - Nënshkruhet marrëveshja mes Ministrisë së Kulturës dhe AADF

Nga Diamila Leka

Trashëgimia kulturore, në fokus - Nënshkruhet marrëveshja

Trashëgimia kulturore jomateriale po kthehet në një prioritet strategjik për Shqipërinë. Ndërsa është nënshkruar memorandumi mes Ministrisë së Kulturës dhe Fonacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, për të mbështetur paketën e dytë të nominimeve të trashëgimisë kulturore jomateriale në UNESCO. Ministria e Turizmit dhe Kulturës, në partneritet me AADF-në, ka strukturuar një proces që synon regjistrimin e katër elementeve të reja, duke garantuar mbështetje financiare dhe teknike për këtë qëllim.

“Përfaqëson një hap tjetër strategjik për trashëgiminë, ky bashkëpunim që synon përgatitjen dhe dorëzimin e katër dosjeve të reja për regjistrim në UNESCO. Procesi parashikohet të jetë i strukturuar dhe i mbështetur si financiarisht, ashtu dhe teknikisht. Qëllimi është forcimi i prezencës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kulturore, gjithashtu synohet krijimi i një modeli të qëndrueshëm bashkëpunimi edhe më tej ndërinstitucional, edhe me komunitetet, edhe me artdashësit, edhe me artizanët, edhe me të gjithë ata që janë të apasionuar të kësaj fushe, të kësaj pjese të rëndësishme të jetës sonë. Rëndësia e kësaj marrëveshjeje nuk qëndron vetëm te objektivi i regjistrimit në UNESCO, synohet gjithashtu krijimi i një modeli të fortë kulture, po themi, përmes bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe partnerëve strategjikë si ADSA, dhe garantimin në këtë mënyrë të ekspertizës kombëtare, dokumentimin audiovizual, digjital, mbështetjen financiare, ekspertizë e të tjerë. Ndër të tjera pastaj ministria do të koordinojë grupet e punës dhe do të garantojë përmbushjen institucionale të procesit. Bashkëpunimi përforcon kapacitetet kombëtare në ruajtjen e traditës, ai gjithashtu kontribuon në promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe këtu ka të bëjë shumë dhe me aspektin e vlerës së shtuar turistike që gjeneron,” tha Blendi Gonxhja Ministër i Turizmit Kulturës dhe Sportit.

Sipas kreut të Fonacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael D. Granoff, ky investim është në linjë të plotë me interesat dhe objektivat e Shteteve të Bashkuara për të promovuar pasurinë kulturore shqiptare në të gjithë botën.

“Nëse shikoni fondacionin tonë, Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), mund të bëni lehtësisht pyetjen: çfarë roli duhet të luajë ruajtja e trashëgimisë kulturore në atë që bëjmë ne? Në një farë mënyre, cili është interesi i Shteteve të Bashkuara, në vija të përgjithshme, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri? Dhe rezulton se, në fakt, interesi i Shqipërisë për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë së saj kulturore është saktësisht në përputhje me objektivat e Shteteve të Bashkuara, që Shqipëria jo vetëm të ketë një vlerësim më të madh për trashëgiminë e saj kulturore, por të jetë në gjendje ta ndajë këtë trashëgimi me pjesën tjetër të botës. Dhe kjo është një mundësi mjaft unike. Një mundësi unike për qytetarët këtu, mendoj unë, dhe një mundësi mjaft unike për njerëzit anembanë botës. Kur turistët vijnë këtu, ne kemi mundësinë t'u tregojmë së bashku se si duket trashëgimia kulturore shqiptare, sa e pasur është ajo përgjatë kohës”, tha ai.

Marrëveshja parashikon krijimin e një modeli të qëndrueshëm bashkëpunimi, ku krahas institucioneve publike, do të përfshihen artizanët, komunitetet lokale dhe ekspertët e fushës.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat