Shqipëria Postuar më 13 Mars 2026, 10:53

Transporti i mallrave drejt digjitalizimit - Projektligj për informacionin elektronik, në harmonizim me BE

Nga Diamila Leka

Transporti i mallrave drejt digjitalizimit - Projektligj për informacionin

Qeveria ka propozuar një projektligj të ri për përdorimin e informacionit elektronik në transportin e mallrave, një hap që synon modernizimin e proceseve dhe digjitalizimin e dokumentacionit në këtë sektor.

Projektligji parashikon krijimin e kuadrit ligjor për përdorimin e informacionit elektronik të transportit të mallrave, në përputhje me rregulloren e Bashkimit Evropian për këtë fushë. Përmes këtij sistemi, dokumentacioni i transportit pritet të kalojë nga forma fizike në platforma digjitale, duke rritur efikasitetin dhe transparencën në proces.

Sipas relacionit të projektligjit, përdorimi i platformave elektronike do të mundësojë shkëmbim më të shpejtë dhe më të sigurt të informacionit mes operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve kompetente. Kjo pritet të reduktojë kostot administrative për bizneset, si dhe të shmangë vonesat dhe gabimet që vijnë nga procedurat manuale.

Ndërkohë, autoritetet shtetërore do të kenë akses më të shpejtë në të dhënat e transportit, çka do të forcojë kontrollin dhe monitorimin e aktivitetit në këtë sektor.

Projektligji është pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian dhe lidhet me zbatimin e Planit Rajonal të Veprimit në kuadër të Traktatit të Komunitetit të Transportit.

Ministria përgjegjëse për transportin do të ketë rolin e autoritetit kompetent për koordinimin dhe zbatimin e ligjit, si dhe për bashkëpunimin me institucionet evropiane për raportimin dhe harmonizimin e standardeve.

Zbatimi i plotë i këtij sistemi do të kërkojë krijimin e platformave elektronike për informacionin e transportit dhe certifikimin e tyre, në mënyrë që autoritetet dhe bizneset të shkëmbejnë të dhëna në mënyrë të sigurt dhe të standardizuar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat