Shqipëria Postuar më 18 Korrik 2025, 14:00

Traktati i Komunitetit të Energjisë - Balluku: Udhërrëfyes për Shqipërinë në përafrimin me BE-në

Nga Ola Mitre

Traktati i Komunitetit të Energjisë - Balluku: Udhërrëfyes

Zv. Kryeministrja, njëkohësisht Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në takimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, mbajtur në Athinë.

Balluku vlerësoi rolin kyç që ka luajtur ky organizëm për Shqipërinë, veçanërisht në pesë vitet e fundit, duke e cilësuar atë si një udhërrëfyes strategjik në përafrimin me Bashkimin Europian.

“Traktati i Komunitetit të Energjisë u krijua 20 vite më parë duke u kthyer në një platformë vitale për të gjitha shtetet partneret. Në këto 20 vite, sidomos në këto 5 vitet e fundit, duke nisur nga 2019-ta, Traktati i Komunitetit të Energjisë për Shqipërinë u kthyer në një udhërrëfyes. U kthye në një tryezë ku ne arritëm të adresonim të gjithë problematikat, sidomos ato të bashkëpunimit rajonal, aty ku ne arritëm që të vinim më afër kërkesave të Bashkimit Europian, të kishim një zë për ti diskutuar dhe përmes Sekretariatit të Energjisë ti çonim këto problematika pikërisht në Bruksel”, - tha Balluku.

Ajo theksoi se përmes këtij traktati Shqipëria ka arritur të adresojë një sërë problematikash, me fokus të veçantë në bashkëpunimin rajonal dhe përafrimin me kuadrin rregullator europian.

“Sot kur flitet për energjinë si një nga çështjet më të rëndësishme gjeopolitike, sot kur Europa është duke luftuar për të ruajtur kapacitetet e saj, sidomos për të krijuar kapacitete të tjera të energjisë së rinovueshme, padyshim Shqipëria ka shumë për të thënë, ka shumë për të bërë dhe për të ndihmuar edhe shtetet e tjera të cilat janë pjesë e Ballkanit Perëndimor”, - tha Balluku.

Ajo shtoi se Sekretariati i Energjisë ka pasur një rol të pazëvendësueshëm dhe se ky rol do të mbetet thelbësor edhe në të ardhmen, për të përmbushur kërkesat e Agjendës së Gjelbër dhe të tregut të përbashkët energjetik.

Po ashtu, ajo përmendi edhe zhvillimet konkrete në infrastrukturën energjetike, si lidhjet me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, si dhe projektin në zhvillim për ndërtimin e një lidhjeje nënujore me Italinë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat