Shqipëria Postuar më 24 Prill 2025, 13:37

Trajnimi i pilotëve ushtarakë shqiptarë - “KAYO” do të kontraktojë një subjekt privat për zhvillimin e programeve me simulatorë

Nga Ledina Elezi

Trajnimi i pilotëve ushtarakë shqiptarë - “KAYO” do

Kompania shtetërore shqiptare për prodhimin dhe tregtimin e armëve, KAYO, do të ngrejë disa programe edukimi dhe trajnimi të pilotëve të helikopterëve dhe të kontrollorëve të fluturimit.

Në një vendim të publikuar në Fletoren Zyrtare parashikohet që KAYO të bashkëpunojë me subjekte private për ngritjen e kapaciteteve për ofrimin e programeve të edukimit dhe trajnimit për pilotët e Forcës Ajrore të Shqipërisë, të forcave ajrore të vendeve partnere, pilotëve civilë, kontrollorëve të aviacionit civil dhe ushtarak të Shqipërisë ose të vendeve partnere.

Subjektet private mund të jenë vendase ose të huaja, të cilat përmbushin kriteret ligjore e teknike për ngritjen e kapaciteteve për ofrimin e programeve të edukimit e të trajnimit.

Për trajnimin e pilotëve dhe kontrollorëve do të përdoren simulatorë fluturimi dhe helikopterë mësimorë.

Gjatë procesit të negociimit, subjekti privat duhet t'i sigurojë shoqërisë shtetërore “KAYO” planet e detajuara të vendosjes së simulatorëve, së bashku me një përshkrim të nevojave për akomodimin e të gjitha pajisjeve të nevojshme për funksionimin e programeve; simulatorët e fluturimit, duke garantuar përputhshmërinë me kërkesat e Forcave të Armatosura dhe standardet e NATO-s;  software-t e nevojshme për operimin e simulatorëve dhe të gjitha aparaturave të tjera; helikopterët mësimorë sipas numrit dhe llojit të përcaktuar në bashkëpunim me Forcën Ajrore të Shqipërisë; kurrikulat për trajnimin e pilotëve e të kontrollorëve të fluturimit; pjesët e këmbimit për helikopterët mësimorë, simulatorët dhe çdo pajisje tjetër të nevojshme.

Për zhvillimin e programeve të trajnimit, KAYO mund t'i ofrojë subjektit privat, infrastrukturën e nevojshme të sigurisë dhe garantimin e sigurisë në të gjitha strukturat ku ofron trajnimin; pasuri të paluajtshme të llojit ndërtesa; infrastrukturën mbështetëse logjistike për operimin e strukturave trajnuese, si: ujë, drita, shërbimin e internetit, sistemet e sigurisë dhe çdo sistem tjetër logjistik të nevojshëm për ngritjen e kapaciteteve, sipas standardeve të NATO-s, tokën për ndërtim dhe të tjera.

Gjithashtu, kompania shqiptare për prodhimin dhe tregtimin e armëve do të bashkëpunojë me shoqëri të specializuara për trajnimin e trajnerëve për programin e përgatitjes, për trajnimin e kontrollorëve të fluturimit, si dhe pilotëve ushtarakë e civilë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat