Shqipëria Postuar më 28 Korrik 2026, 10:23

“Tokat e paregjistruara frenojnë agroturizmin” - Këshilli i Investimeve: Të regjistrohen pronat shtetërore

Nga Diamila Leka

“Tokat e paregjistruara frenojnë agroturizmin” - Këshilli

Pasiguritë mbi pronësinë e tokës po kthehen në një nga pengesat kryesore për zhvillimin e agroturizmit në vend. Një raport i Këshillit të Investimeve evidenton se një pjesë e operatorëve të këtij sektori përballen me vështirësi në marrjen e financimit, pasi tokat që u jepen me qira nga bashkitë rezultojnë të paregjistruara ose me dokumentacion të pasaktë.

Sipas shqetësimeve të ngritura nga përfaqësuesja e Shoqatës së Agroturizmit, paqartësitë mbi statusin juridik të tokës pengojnë përdorimin e saj si garanci bankare dhe, për rrjedhojë, kufizojnë zgjerimin e bizneseve dhe investimet e reja në zonat rurale.

Raporti konstaton se nuk ka të dhëna të publikuara dhe të përmbledhura mbi numrin e pronave shtetërore dhe bashkiake të regjistruara ose ende të paregjistruara në Kadastër. Bizneset që operojnë në agroturizëm dhe në zonat rurale vlerësojnë se bashkitë kanë qenë pasive në konsolidimin e inventarit të pronave dhe në nisjen e procedurave për regjistrimin e tyre. Ndër shkaqet përmenden mungesa e topografëve të licencuar, buxhetet e kufizuara dhe kostot e aplikimeve pranë Kadastrës.

Problemi lidhet edhe me koordinimin institucional. Në total, 44% e kompanive të anketuara deklarojnë se kanë hasur vonesa dhe problematika për shkak të bashkëpunimit të dobët mes Kadastrës, bashkive dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Këshilli i Investimeve rekomandon ngritjen e grupeve të posaçme të punës, alokimin e fondeve për regjistrimin e pronave shtetërore dhe raportim periodik nga bashkitë. Procesi duhet të përparojë me prioritet në zonat ku pasiguria e pronës po pengon financimin dhe zhvillimin e agroturizmit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat