Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2025, 11:35

Tokat e pafrytshme, në ankand ndërkombëtar/ Balluku: Bashkitë do të bëhen partnerë në zhvillim

Nga Hamit Yzeiraj

Tokat e pafrytshme, në ankand ndërkombëtar/ Balluku:

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka deklaruar nisjen e një procesi të ri në bashkëpunim me të gjitha bashkitë e vendit, me synimin për të vënë në përdorim tokat e pafrytshme në territorin shqiptar.

 “Gjatë analizave dhe studimit të territorit kemi arritur në përfundimin se të gjitha ato toka të pafrytshme në bashkitë e ndryshme duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike” deklaroi Balluku. 

Sipas saj, shpeshherë ka pasur kërkesa për përdorimin me qira afatgjatë të këtyre tokave, por bashkitë nuk kanë pasur kapacitetet apo kuadrin ligjor për të organizuar ankande të mirëfillta.

   “Në bashkëpunim të plotë me bashkitë, kemi nisur identifikimin e tokave të regjistruara në inventarët e tyre, të cilat janë të pafrytshme dhe nuk shërbejnë për bujqësi apo zhvillim lokal. Këto prona do t’i kalojnë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për t’u përdorur në ankande ndërkombëtare me transparencë të plotë,” – tha Balluku.

Ky proces synon jo vetëm rritjen e investimeve të huaja në territor, por edhe përfshirjen aktive të bashkive, të cilat do të jenë partnerë zyrtarë në çdo procedurë, duke përfituar nga të ardhurat që do të gjenerohen dhe duke siguruar përfitim të drejtë për qytetarët.

 “Me eksperiencën dhe partneritetet që kemi me trupat ndërkombëtare, do të garantojmë certifikim të plotë dhe standarde të larta. Bashkitë do të përfitojnë nga ky proces dhe qytetarët do të shohin zhvillim real në territorin e tyre,” – u shpreh ndër të tjera zëvendëskryeministrja.

Kjo nismë shihet si një hap i ri drejt përdorimit strategjik të pasurive publike të nënshfrytëzuara dhe përfshirjes më të gjerë të investitorëve ndërkombëtarë në zhvillimin territorial të Shqipërisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat