Shqipëria Postuar më 15 Maj 2026, 11:29

Tokat bujqësore, cilat mund të shiten dhe cilat jo? - Kritere të forta për blerësit, rezidencë në Shqipëri dhe 3 vite biznes në bujqësi

Nga Elisabeta Dosku

Tokat bujqësore, cilat mund të shiten dhe cilat jo? - Kritere të

Të huajt do të kenë të drejtën të blejnë tokat bujqësore në Shqipëri si ato të cilat konsiderohen si toka shtet, por dhe ato që disponohen me dokumentacion pronësor nga qytetarët shqiptar.

Por cilat mund të shiten dhe cilat jo? Sipas projektligjit të hedhur për konsultim publik,  ndalohet tjetërsimi i tokës bujqësore në favor të personave fizikë dhe juridikë të huaj, kur toka bujqësore është objekt i dosjeve për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve, sipas legjislacionit në fuqi për kthimin dhe kompensimin e pronës; është objekt i projekteve ose investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike; shtrihet në zona me karakter ushtarak ose me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare; ndodhet në zona që përmbajnë vlera muzeore, arkeologjike ose historike, si dhe në parqe kombëtare, rezervate natyrore apo zona të mbrojtura të florës dhe faunës.

Kalimi i pronësisë së tokës bujqësore shtetërore dhe private bëhet vetëm për tokën e regjistruar sipas legjislacionit në fuqi për regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Në rastin e shit-blerjes së tokës bujqësore të pandarë në pronësi shtetërore bashkitë në juridiksionin e të cilave ndodhet toka kanë kompetencën për kryerjen e procedurave por vendimin përfundimtar për kalimin e pronësisë e merr autoriteti kompetent.

Personat fizik dhe juridik të huaj që kërkojnë kalimin e pronësisë mbi tokën bujqësore shtetërore paraqesin kërkesën pranë autoritetit kompetent, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë planin e përdorimit të tokës. Autoriteti kompetent verifikon dokumentacionin dhe ka të drejtë të kërkojë dokumente shtesë pas shqyrtimit të kërkesës.

Megjithatë, sipas draftligjit jo çdo i huaj do ketë të drejtë të blejë tokat bujqësore, pasi ka kufizime. Konkretisht, sipas nenit 6, personat fizikë dhe juridikë të huaj kanë të drejtë të fitojnë pronësinë mbi tokën bujqësore vetëm nëse plotësojnë disa kritere. Të janë rezidentë të përhershëm në Republikën e Shqipërisë për një periudhë jo më pak se 5 vjet; kanë për qëllim përdorimin e tokës bujqësore vetëm për veprimtari bujqësore dhe blegtorale;  janë pajisur me leje qëndrimi nga autoriteti kompetent, sipas legjislacionit në fuqi; të respektojnë kufizimin e sipërfaqes së tokës bujqësore që mund të zotërohet, sipas përcaktimeve të këtij ligji; kanë zhvilluar veprimtari bujqësore ose agrobiznesi në Republikën e Shqipërisë, të dokumentuar për të paktën 3 vjet; të kenë arsim ose përvojë profesionale në fushën e bujqësisë; të ushtrojnë veprimtarinë përmes një shoqërie tregtare të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, ku personi i huaj është pronar ose bashkëpronar si dhe të garantojnë që përdorimi i tokës bujqësore nuk cenon interesin publik, mjedisin dhe interesat e komunitetit lokal.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat