Shqipëria Postuar më 11 Mars 2025, 11:31

Tjetër zgjerim për Tiranë-Durrës - ARRSH bën gati tenderin për fazën III, fondi limit do të jetë 2.5 mld lekë

Nga Ola Mitre

Tjetër zgjerim për Tiranë-Durrës - ARRSH bën gati

Autostrada Tiranë-Durrës do të zgjerohet edhe pas mbikalimit të Rinasit. Autoriteti Rrugor Shqiptar parashikon të hapë tenderin për fazën e tretë të punimeve, teksa fondi limit në dispozicion do të jetë 2.5 mld lekë. Detajet mbi gjatësinë e rrugës që do t’i nënshtrohen punimeve dhe kohëzgjatjen e tyre nuk janë ende publike.

Hapja e këtij tenderi do të vijë pas 2 procedurave prokuruese të vitit që kaluar për fazat I dhe II të projektit, që përfshinin zgjerimin e autostradës në 5 km e parë të saj, që nisin pak pasi kalon kthesën e Kamzës, deri te mbikalimi i Rinasit.

Punimet nisën në shtator të vitit të kaluar dhe pas zgjerimit të autostradës, shpejtësia e lejuar për qarkullimin e automjeteve do të jetë 90 - 140 km/h. Sipas projektit, autostrada do të shtohet me nga 2 korsi në secilin kah lëvizjeje, duke bërë që në total të arrihet në 8 korsi.

Kosto totale për ndërhyrjen në 5 km e parë arrin në 3.44 mld lekë apo rreth 34.4 mln euro, me TVSH. Referuar dokumenteve zyrtare punimet në fazat I dhe II parashikohet të zgjatin 19 muaj nga momenti i nënshkrimit të kontratës, çka do të thotë se do të mbyllen në pranverë të vitit 2026.

Megjithatë, më herët përfaqësues të Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë deklaruar për TV SCAN se qëllimi është që të përfundohet më herët.

Ndërhyrja në këtë aks rrugor synohet të sjellë një përmirësim në drejtim të trafikut, që aktualisht paraqet probleme të shumta. Kjo jo vetëm për qytetarët, por edhe për binzeset që operojnë përgjatë saj. 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat