Shqipëria Postuar më 13 Maj 2026, 12:14

Tiranë-Durrës, 1.3 mld lekë për ndriçimin dhe gjelbërimin - ARRSH hap tenderin për segmentin nga sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit

Nga Ola Mitre

Tiranë-Durrës, 1.3 mld lekë për ndriçimin dhe

Me një fond limit prej rreth 1.3 mld lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për plotësimin e punimeve dhe përmirësimin estetik të autostradës Tiranë – Durrës, nga sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit. Segmenti i përfshirë korrespondon me pjesën e zgjeruar të këtij aksi rrugor, që u hap për qarkullimin e automjeteve pak javë më parë, si dhe me fazën 3 ku aktualisht është duke u punuar.

Sipas dokumenteve të tenderit, ndërhyrjet do të fokusohen kryesisht në gjelbërimin përgjatë autostradës, përmes sistemimit të sipërfaqeve ekzistuese dhe krijimit të hapësirave të reja të gjelbra, si dhe mbjelljes së pemëve dhe shkurreve dekorative në trafikndarës dhe anët e rrugës. Po ashtu, parashikohet ndërtimi i një sistemi të automatizuar ujitjeje, i monitorueshëm në distancë, për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave

Projekti përfshin gjithashtu ndërhyrje për përmirësimin e ndriçimit rrugor dhe elementeve të sigurisë. Në raportin teknik parashikohet përdorimi i ndriçuesve LED me efikasitet të lartë dhe jetëgjatësi deri në 100 000 orë, si dhe vendosja e shtyllave të ndriçimit në intervale të rregullta përgjatë segmentit.

Përveç gjelbërimit dhe ndriçimit, ndërhyrja do të përfshijë edhe veshjen e mureve të nënkalimeve në zonën e ish-Sheshit Shqiponja, si dhe riveshjen e shtresave asfaltike në segmentet e dëmtuara, të cilat nuk kanë pësuar ndërhyrje prej më shumë se një dekade.

Afati për dorëzimin e ofertave është përcaktuar në mesin e muajit qershor.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat