Shqipëria Postuar më 2 Qershor 2026, 11:46

Tirana mban gjysmën e kursimeve bankare në vend - BSH: Diferenca të mëdha në nivelin e depozitave sipas qarqeve

Nga Ledina Elezi

Tirana mban gjysmën e kursimeve bankare në vend - BSH: Diferenca

Tirana vijon të kryesojë bindshëm listën e qarqeve me nivelin më të lartë të kursimeve bankare, ndërsa Lezha, Shkodra, Elbasani dhe Korça mbeten ndër qarqet me depozitat më të ulëta.

Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kursimet janë përqendruar kryesisht në qendrat e mëdha urbane, me diferenca të qarta mes qarqeve. Në të njëjtën kohë, ka ndryshuar edhe mënyra se si qytetarët dhe bizneset i mbajnë paratë në banka, me një rritje më të dukshme të depozitave në lekë gjatë tremujorit të parë, ndërsa euro vijon të ruajë peshë të konsiderueshme, veçanërisht në qarqet me aktivitet më të lartë ekonomik.

Qarku i Tiranës mbetet pa konkurrencë në krye të listës së kursimeve. Depozitat në Tiranë arrijnë në 1 trilionë lekë, ose pothuajse gjysmën e totalit kombëtar. Krahasuar me fillimin e vitit 2025, Tirana ka shtuar mbi 162 miliardë lekë depozita, duke pasqyruar përqendrimin e aktivitetit ekonomik, pagave dhe bizneseve.

Pas Tiranës renditet Durrësi, me afro 120 miliardë lekë depozita, i ndjekur nga Vlora dhe Fieri. Në anën tjetër të tabelës, qarqet me nivelin më të ulët të kursimeve mbeten Lezha, Shkodra, Elbasani dhe Korça, ku depozitat janë dukshëm më të vogla.

Duke përjashtuar Korçën dhe Shkodrën, të cilat janë me rritje të kursimeve në krahasim me tremujorin e parë 2025, të gjithë qarqet rezultojnë me rënie të depozitave.

Sa i përket mënyrës se si mbahen kursimet, monedha e huaj, kryesisht euro, vijon të ketë peshë të madhe, sidomos në Tiranë, Durrës dhe zonat turistike si Vlora. Megjithatë, vërehet një forcim i depozitave në lekë gjatë tremujorit të parë. Në nivel kombëtar, depozitat në lekë janë rritur më shpejt se ato në valutë, një sinjal se qytetarët dhe bizneset po i besojnë më shumë monedhës vendase dhe po shmangin riskun e kursit të këmbimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat