Shqipëria Postuar më 13 Maj 2026, 10:09

TikTok zgjeron ndjeshëm ndikimin në Shqipëri/ Shtrirja e reklamave zgjerohet me 9.3% të audiences brenda pak kohe

Nga Eldiona Serani

TikTok zgjeron ndjeshëm ndikimin në Shqipëri/ Shtrirja e

Të dhënat nga DataReportal, të bazuara në burimet e reklamimit të TikTok, tregojnë se TikTok është kthyer në një nga platformat më të fuqishme digjitale në Shqipëri, duke depërtuar thellë në jetën e përditshme online të përdoruesve.

Sipas të dhënave, rreth 1.23 milion persona të moshës 18 vjeç e lart në Shqipëri përdorin TikTok, një shifër që e vendos platformën jo thjesht si rrjet social, por si një hapësirë masive komunikimi dhe argëtimi për audiencën e rritur. Në praktikë, kjo do të thotë se më shumë se gjysma e të rriturve në vend janë të ekspozuar ndaj reklamave në TikTok, me një shtrirje që arrin 55.6% të kësaj grupmoshe, ndërsa mbulon gjithashtu rreth 50.3% të të gjithë përdoruesve të internetit në Shqipëri.

Ajo që bie më shumë në sy është mënyra se si platforma është ngjitur në qendër të ekosistemit digjital nuk bëhet fjalë më për një aplikacion “trendi”, por për një kanal ku gjysma e audiencës online mund të arrihet në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes reklamimit. Struktura e përdoruesve të rritur tregon një ndarje relativisht të ekuilibruar gjinore, por me një dominim të lehtë të meshkujve, ku 56.6% janë meshkuj dhe 43.4% femra, duke reflektuar edhe mënyrën se si konsumohet përmbajtja në platformë.

Një tjetër element interesant është dinamika e rritjes. Shtrirja e reklamave është zgjeruar me 105 mijë përdorues, ose 9.3% brenda një periudhe të shkurtër, çka tregon se TikTok nuk është thjesht i stabilizuar në tregun shqiptar, por po vazhdon të zgjerohet me ritëm të dukshëm.

Megjithatë, raporti thekson një nuancë të rëndësishme se këto shifra lidhen vetëm me audiencën e reklamave për moshat 18+, që do të thotë se realiteti total i përdoruesve të platformës mund të jetë edhe më i madh, pasi një pjesë e konsiderueshme e përdoruesve më të rinj nuk përfshihen në këto statistika.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat