Shqipëria Postuar më 12 Korrik 2025, 10:56

Thellohet varësia ushqimore ndaj të huajve - Studimi, rriten importet me mbi 21 mijë ton. Kërkohen incentiva

Nga Elisabeta Dosku

Thellohet varësia ushqimore ndaj të huajve - Studimi, rriten importet

Vitet e fundit Shqipëria ka përjetuar një rritje të vazhdueshme të importeve të produkteve ushqimore, për shkak të faktorëve të ndryshëm, duke i bërë konsumatorët më të varur ndaj produkteve të huaja.

Ndër arsyet e thellimit të bilancit tregtar midis eksporteve dhe importeve, përmenden  kapacitetet e kufizuara të prodhimit vendas për disa kultura dhe produkte blegtorale; Ndryshimet në kërkesën e konsumatorëve për produkte të përpunuara, me cilësi dhe origjinë të ndryshme; Mungesa e investimeve në përpunimin dhe magazinimin e prodhimeve vendase;  Luhatjet klimatike dhe sezonaliteti që ndikojnë në stabilitetin e prodhimit vendas.

Sipas një studimi të “ALTAX”, në kontrast me eksportet, importet agro-ushqimore shënuan rritje të moderuar, si pasojë e rënies së prodhimit vendor, ndryshimit të stilit të konsumit dhe shtimit të kërkesës nga turizmi.

Importet u rritën nga 872.676 tonë në 2023 në 894.381 tonë në 2024, me një shtesë prej mbi 21.700 tonë.

Studimi nënvizon se kjo tendencë tregon një rritje të varësisë nga tregjet ndërkombëtare, sidomos për produkte të përpunuara, bulmet të standardizuar, mish dhe produkte të peshkut. Efekti ekonomik është dyfish, rritje e deficitit tregtar dhe presion mbi prodhuesit vendas që përballen me konkurrencë të lartë nga importet me kosto më të ulët, por shpesh cilësi të diskutueshme.

Referuar dokumentit, balanca tregtare e sektorit agro-ushqimor mbetet negative dhe në përkeqësim. Për çdo njësi produkti të eksportuar, Shqipëria importon më shumë se dy njësi, duke reflektuar një dobësi në kapacitetin prodhues dhe përpunues vendas.

Studimi del në konkluzion se përmbysja e këtij trendi kërkon masa të menjëhershme, përfshirë:  incentivim të certifikimit dhe përpunimit lokal,  investime në logjistikë dhe zinxhirin e ftohtë, politika promovuese për produktet me origjinë të mbrojtur (IG/IGP),  ndihmë teknike dhe financiare për akses në tregjet ndërkombëtare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat