Shqipëria Postuar më 31 Tetor 2025, 11:26

Testim kombëtar dhe paga sipas performancës - Qeveria propozon ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”

Nga Fabjona Pasho

Testim kombëtar dhe paga sipas performancës - Qeveria propozon

Qeveria ka hedhur për Konsultim Publik një sërë ndryshimesh në ligjin “Për nëpunësin civil”, me synimin për ta përshtatur administratën publike me standardet bashkëkohore të vendeve europiane. Projektligji sjell risi në mënyrën si rekrutohen, vlerësohen dhe menaxhohen punonjësit e shtetit.

Ndryshimi më i rëndësishëm lidhet me procedurën e re të pranimit në administratë, e cila do të zhvillohet në dy faza, për të garantuar transparencë dhe shanse të barabarta për të gjithë. Këto faza përfshijnë një test kombëtar të përgjithshëm për të gjithë kandidatët dhe një konkurs të dytë të specializuar për çdo pozicion vakant.

Projektligji parashikon gjithashtu unifikimin e standardeve të punësimit në të gjitha institucionet publike, përfshirë edhe ato që nuk janë pjesë e shërbimit civil, duke vendosur një sistem të vetëm testimi për administratën.

Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil do të ketë më shumë fuqi për të gjobitur zyrtarët që nuk zbatojnë vendimet e tij. Nëse një vendim nuk zbatohet, Komisioneri mund të vendosë gjobë mujore deri në 50% të pagës, derisa të ekzekutohet vendimi, masë që synon të ndalë neglizhencën dhe vonesat në administratë.

Risi të tjera përfshijnë reformimin e Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues, me mandate pesëvjeçare për sekretarët e përgjithshëm dhe drejtuesit e institucioneve, si dhe kalimin drejt një modeli të hapur karriere, që lejon lëvizjen mes sektorit publik dhe privat.

Ndërkohë, struktura e pagave ndryshon ndjeshëm. Deri tani, nëpunësit përfitonin rritje automatike të pagës me kalimin e viteve dhe me vlerësime standarde, pavarësisht rezultateve reale në punë. Me projektligjin e ri, ky sistem hiqet dhe zëvendësohet me shpërblime të përkohshme për performancë, që do t’u jepen vetëm atyre që dallohen për rezultate konkrete ose inovacion në detyrë. Qëllimi I këtij ndryshimi është të krijohet një administratë më e motivuar dhe më konkurruese.

Për herë të parë, ligji njeh edhe mundësinë e punës hibride, duke i dhënë nëpunësve publikë fleksibilitet për të punuar pjesërisht nga shtëpia, në përputhje me nevojat e institucionit.

Një tjetër element i ri është integrimi i studentëve të ekselencës, të cilët do të kenë mundësi të punojnë për një vit në institucionet publike, si një formë përgatitjeje për karrierën në administratë.

Autoritetet theksojnë se këto ndryshime synojnë të krijojnë një administratë më profesionale, më efikase dhe të përshtatur me procesin e integrimit evropian.

Reformimi i administratës publike është një ndër kushtet kryesore të qeverisë shqiptare në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke u përfshirë në grupkapitullin e parë “Themelorët”.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat