Shqipëria Postuar më 28 Qershor 2025, 13:57

Temperaturat e larta, shtohen vatrat e zjarreve - AKMC: Situata në monitorim, të bëhet kujdes!

Nga Hamit Yzeiraj

Temperaturat e larta, shtohen vatrat e zjarreve - AKMC: Situata në

Me hyrjen në kulmin e stinës së verës dhe rritjen e temperaturave në shumë zona të vendit, rreziku nga zjarret në ambiente të hapura është shtuar ndjeshëm.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes raportojnë se janë shënuar 9 vatra zjarri, por situata është aktualisht nën kontroll, pa pasoja në njerëz apo gjënë e gjallë.

Në disa raste, zjarret kanë përfshirë sipërfaqe me barishte dhe shkurre, duke shkaktuar djegien e rreth 0.5 hektarëve tokë. Dëme materiale janë raportuar edhe në dy banesa, një në Kavajë dhe tjetra në Shëngjin.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë përfshirë forcat operacionale të Mbrojtjes Civile me mbështetjen e 64 automjeteve zjarrfikëse.

Pavarësisht kontrollit të situatës, autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, ndërsa në qarqet e tjera vlerësohet si “i moderuar”.

Duke qenë se temperaturat pritet të mbeten të larta, Mbrojtja Civile, mbetet në gadishmëri të vazhdueshme për çdo rast emergjence.

Qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarrvënie. Çdo rast i dyshimtë duhet të raportohet menjëherë pranë autoriteteve përkatëse.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat