Shqipëria Postuar më 11 Qershor 2025, 13:15

Tejkalojmë BE për energjinë nga hidrocentralet - Raporti i OECD: Shqipëria, intensitetin më të ulët të emetimeve të karbonit

Nga Ledina Elezi

Tejkalojmë BE për energjinë nga hidrocentralet - Raporti i OECD:

Shqipëria jo vetëm që kryeson rajonin në drejtim të përafrimit dhe zbatimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian për kapitujt që lidhen me Agjendën e Gjelbër, duke tejkaluar mesataren e BE-së në këtë grup, por gjithashtu qëndron si ekonomia e vetme që ka fituar terren në raport me Bashkimin Evropian për sa i përket energjisë së rinovueshme, gjatë viteve të fundit.

Sipas raportit më të fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi konvergjencën ekonomike të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, nga pesë ekonomitë që përjetuan divergjencë në vend të konvergjencës, katër regjistruan rënie prej më shumë se 10 pikësh në raport me mesataren e BE-së.

Shqipëria është i vetmi shtet që ka performuar më mirë në rajon dhe e vetmja ekonomi që arrin nivele intensiteti të emetimeve të karbonit, nën ato të Bashkimit Evropian.

Që nga shkurti i këtij, vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë miratuar me sukses Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën. Emetimet e larta të dioksidit të karbonit (CO2) në rajon i atribuohen kryesisht varësisë së madhe nga lëndët djegëse fosile në prodhimin e energjisë, me qymyrin që përbën më shumë se 60% të prodhimit të energjisë në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Shqipëria bën përjashtim thotë OECD, duke u mbështetur ekskluzivisht në burimet e rinovueshme të energjisë.

Rreth 90% e kapaciteve të ngritura për prodhimin e energjisë së rinovueshme janë hidrocentrale dhe pjesa e mbetur centrale eolike apo parqe fotovoltaike.

OECD shprehet ndër të tjera se ekonomi si Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar korniza strategjike për transportin e qëndrueshëm, duke vendosur objektiva për uljen e emetimeve në mënyra të ndryshme të transportit. Shumë ekonomi kanë vendosur masa për të promovuar automjetet me emetime të ulëta dhe zero, duke përfshirë përjashtimet nga taksat dhe subvencionet për blerjen e makinave elektrike në Serbi dhe ndërtimin e infrastrukturës së karikimit në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat