Shqipëria Postuar më 31 Dhjetor 2024, 12:00

TEC-et lundrues, tender për trajtimin e mbetjeve/ Standarde të larta sigurie dhe mbrojtje mjedisore

Nga Ernilda Luzi

TEC-et lundrues, tender për trajtimin e mbetjeve/ Standarde të larta

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka shpallur hapjen e tenderit me objekt përfitim i shërbimit të evadimit të mbetjeve hidrokarbure për TEC-et Lundrues Vlorë dhe trajtimi i tyre përfundimtar. Fondi limit është 32 milionë e 812 mijë lekë.

Dy TEC-et lundrues të pozicionuar në Triport të Vlorës kanë hyrë në prodhim. Për qëllime të funksionimit, asetet termike kanë nevojën e furnizimit me lëndë djegëse të llojit HFO, si dhe sasi të vogla të lëndës djegëse hidrokarbure LFO.

Ndërkohë, gjenerimi i energjisë nga impianti termik lundrues i përkohshëm TEC Vlorë dhe infrastruktura ndihmëse, një aktivitet ky i pajisur me lejen mjedisore, ka si detyrim trajtimin e mbetjeve të prodhuara nga ky aktivitet, sipas dokumentit.

Ndër mbetjet e listuara, mbetjet e lëndëve hidrokarbure janë ato me rëndësinë më të lartë të menaxhimit dhe trajtimin, duke qenë se janë mbetjet me volumin dhe rrezikshmërinë më të lartë krahasuar me mbetjet e tjera. Për këtë arsye, shoqërisë KESH sh.a i lind nevoja të prokurojë shërbimin për evadimin e mbetjeve të rrezikshme të llojit mbetje hidrokarbure.

Mbetjet hidrokarbure të lëndës djegëse grumbullohen në një depozitë për secilën anije. “Evadimi dhe trajtimi i mbetjeve hidrokarbure” nënkupton që operatori ekonomik do të realizojë tërheqjen e mbetjeve hidrokarbure nga rezervuaret e dy anijeve në TEC lundrues Vlorë, duke zbatuar të gjitha kushtet dhe standardet e sigurisë në punë dhe mbrojtjes së mjedisit, si dhe transportin e mbetjeve hidrokarbure me automjete që garantojnë siguri gjatë transportimit deri në vendin e trajtimit të tyre.

Sipas dokumentit, për të llogaritur nevojën për përcaktimin e sasisë së evadimit të mbetjeve hidrokarbure, bazuar në karakteristikat teknike të aseteve gjeneruese dhe karakteristikave të lëndës djegëse, Shoqëria KESH sh.a do të furnizojë sasinë e lëndës djegëse prej 25,000 ton për funksionimin e aseteve gjeneruese.

Shërbimi i evadimit dhe trajtimi përfundimtar i mbetjeve hidrokarbure të TEC lundrues Vlorë do të jetë për një periudhë 2-vjecare ose deri në përfundimin e konsumit të sasisë së lëndës djegëse prej 25,000 ton. Gjithashtu, KESH sh.a do të sigurojë të gjitha kalimet dhe lejet.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat