Shqipëria Postuar më 28 Gusht 2026, 11:19

“TARSIM”, çfarë parashikon skema turke e sigurimeve? - Shteti subvencionon deri në 67% të primit të sigurimit

Nga Elisabeta Dosku

“TARSIM”, çfarë parashikon skema turke e sigurimeve? -

Fermerët shqiptarë janë tërësisht të pambrojtur ndaj fenomeneve me rrezikshmëri natyrore, siç janë përmbytjet, breshëri, ngricat apo stuhitë, për shkak se mungon një skemë e mirëfilltë sigurimi, duke i bërë ata që në këto kushte të çojnë dëm të gjithë mundin e tyre.

Nga viti 2024 Ministria e Bujqësisë ka nisur tentativat për hartimin e një skeme të re sigurimi.

Në tetor të vitit të kaluar Ministria e Bujqësisë nënshkroi një marrëveshje me Ministrinë Turke të Bujqësisë  mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi.  Deklarata e nënshkruar synon të sjellë një model të ri sigurimesh për bujqësinë shqiptare, të ngjashëm me Fondin e Sigurimeve Bujqësore të Turqisë (TARSIM).

Ndërkohë që gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit,  përfaqësuesit e dy shteteve kanë zhvilluar takime priodike për të çuar përpara këtë skemë, e cila përballë ndryshimeve klimatike dhe fenomeneve natyrore të përvitshme është bërë e domosdoshme.

Në skemë do të jenë disa aktorë, ku bëjnë pjesë kompanitë e sigurimeve-shteti dhe fermerët, dhe po shikohet edhe mundësia e krijimit të një fondi rezervë i cili do të përdoret në rastet e fatkeqësive natyrore.

Deri më tani ende s’ka një llogaritje të kostot që duhet të mbajë buxheti i shtetit për implementimin e kësaj skeme.

Por çfarë parashikon modeli turk i sigurimit në bujqësi?

TARSİM është sistemi i sigurimeve bujqësore në Turqi, krijuar për të mbrojtur fermerët nga rreziqet natyrore dhe katastrofat që mund të dëmtojnë prodhimin e tyre bujqësor. Ai u krijua në vitin 2005 dhe përfshin një kombinim të sigurimeve private dhe mbështetjeve shtetërore.

Disa lloje të sigurimeve në bujqësi janë të detyrueshme, si sigurimi i të korrave, ndërsa të tjerat janë vullnetare, si sigurimi për blegtorinë ose peshkimin.

TARSİM mbulon një gamë të gjerë rreziqesh natyrore si: breshëri, stuhi, përmbytje, tërmete, ngrica, sëmundje dhe dëmtues. Kjo i ndihmon fermerët të mbrojnë investimet e tyre dhe të zvogëlojnë humbjet financiare.

Shteti turk mbështet një pjesë të konsiderueshme të primeve të sigurimit, zakonisht nga 50% deri në 67%, duke e bërë atë më të përballueshme për fermerët.

TARSİM operohet nga një konsorcium i kompanive private të sigurimit, të mbështetura nga qeveria. Këto kompani marrin pjesë në skemën e sigurimeve për bujqësinë përmes një platforme të përbashkët.

Në rast dëmtimi, fermerët aplikojnë për dëmshpërblim përmes agjencive të sigurimeve. Pas vlerësimit të dëmit nga ekspertët, fermerëve u kompensohet humbja brenda një kohe të shkurtër.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat