Shqipëria Postuar më 22 Dhjetor 2025, 14:01

Tarifat e mbetjeve, sipas sasisë që hedhim - Parimi “Paguaj sipas hedhjes” do të aplikohet për familjet dhe bizneset

Nga Ola Mitre

Tarifat e mbetjeve, sipas sasisë që hedhim - Parimi “Paguaj

Programi Kombëtar i Parandalimit të Krijimit të Mbetjeve parashikon zbatimin e parimit “Paguaj sipas hedhjes” (Pay as You Throw – PAYT), që ofron nxitje ekonomike në reduktimin e mbetjeve, duke inkurajuar qytetarët të riciklojnë më shumë dhe të reduktojnë krijimin e tyre.

Në dokumentin e nxjerrë për konsultim publik thuhet se ky sistem, konsiderohet një nga instrumentat ekonomikë më efektivë për reduktimin e mbetjeve dhe promovimin e konsumit të përgjegjshëm. Zbatimi i tij mundëson vendosjen e tarifave të balancuara të mbetjeve bashkiake, sipas të cilit çdo familje ose biznes, paguan sipas sasisë aktuale të mbetjeve të gjeneruara, në vend të një tarife fikse.

“Në këtë mënyrë, familjet dhe bizneset do të nxiten të ndajnë sa më shumë mbetje të riciklueshme të jetë e mundur (për të cilat nuk do të paguajnë) dhe do të paguajnë një tarifë mbetjesh vetëm për mbetjet e mbetura të përziera”, - thuhet në dokument. 

Po ashtu, specifikohet se zbatimi i këtij parimi kërkon ndryshime thelbësore si në mënyrën e ndarjes së tarifave të mbetjeve bashkiake midis familjeve dhe bizneseve ashtu dhe në sistemin e grumbullimit të mbetjeve bashkiake. Modeli i grumbullimit në pika të përbashkëta duhet të zëvendësohet gradualisht  me përdorimin e koshave apo kontejnerëve individualë, duke mundësuar matjen e sasisë së mbetjeve për familje dhe subjekte biznesi.

Paralelisht me zhvillimin e modeleve për grumbullimin e mbetjeve, Ministria e Mjedisit do të iniciojë ndryshimet e nevojshme ligjore për adoptimin e sistemit PAYT, duke mundësuar zbatimin e tarifave të bazuara në peshë apo vëllim për shërbimet bashkiake të menaxhimit të mbetjeve. Sipas programit, bashkitë pritet të fillojnë aplikimin e sistemit PAYT jo më vonë se viti 2029.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat