Shqipëria Postuar më 1 Shtator 2025, 12:03

TAP transporton 50 mld metër kub gaz në Evropë - Moment historik për gazsjellësin, që rrit sigurinë energjetike të kontinentit

Nga Lidion Kulla

TAP transporton 50 mld metër kub gaz në Evropë - Moment historik

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka transportuar 50 miliardë metra kub gaz natyror në Evropë, që nga fillimi i operacioneve tregtare rreth 5 vjet më parë. Kjo arritje e rëndësishme nënvizon rolin e TAP në sigurimin e një furnizimi të besueshëm dhe të diversifikuar me gaz për Evropën, duke rritur njëkohësisht konkurrencën dhe duke kontribuar në përpjekjet e dekarbonizimit në të gjithë Evropën Juglindore. TAP, si segmenti evropian i Korridorit Jugor të Gazit, sjell gaz natyror nga Azerbajxhani në tregjet evropiane. Që nga fillimi i operacioneve komerciale në fund të vitit 2020, TAP ka furnizuar Italinë me rreth 41.7 miliardë metra kub gaz, Greqinë me 4.8 miliardë dhe Bullgarinë me mbi 3.2 miliardë metra kub gaz.

Drejtor Menaxhues i TAP, Luca Schieppati, deklaroi se “arritja e 50 miliardë metra kub është më shumë sesa një moment historik, është një demonstrim i qartë i rolit strategjik të TAP në forcimin e sigurisë energjetike të Evropës dhe mbështetjen e objektivave klimatike”. “TAP ka ndihmuar në diversifikimin e furnizimit me energji të Evropës Juglindore dhe në uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile më të rënda”, shtoi Schieppati.

TAP ka siguruar furnizim të pandërprerë me gaz, për më shumë se katër vite e gjysmë. Ndërkohë, që nga fillimi i vitit 2022, për të adresuar kërkesat në rritje të Evropës, TAP ka transportuar vëllime përtej kapacitetit nominal të gazsjellësit. Kompania njofton gjithashtu, se është e gatshme të rrisë më tej kapacitetin, në përgjigje të kërkesës në rritje të tregut.

TAP transporton gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit në Azerbajxhan drejt Evropës dhe tubacioni me një gjatësi prej 877 km lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turqi-Greqi, kalon në Greqinë Veriore, në Shqipëri dhe në Detin Adriatik, për të dalë më pas në bregun e Italisë Jugore. Pikat e daljes së TAP në Greqi dhe Shqipëri ofrojnë mundësi të shumta për transport të mëtejshëm të gazit natyror nga Azerbajxhani në tregjet e reja evropiane.

Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP është strategjikisht dhe ekonomikisht i rëndësishëm për Evropën dhe thelbësor në sigurimin e aksesit të besueshëm në një burim të ri të gazit natyror. Aksionerët e TAP janë: BP me (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (20%) dhe Enagás (20%).

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat