Shqipëria Postuar më 20 Gusht 2025, 10:47

Taksimi i ndërtesave, cilat janë rezervat për draftin e ri? - Profesionistët e Lirë: Rrit artificialisht çmimet në treg, pengon kërkesë-ofertën

Nga Elisabeta Dosku

Taksimi i ndërtesave, cilat janë rezervat për draftin e ri? -

Drafti i hedhur për konsultim publik mbi taksimin e pasurive të paluajtshme ka hasur kundërshti për mënyrën se si është hartuar dhe efektet që do të ketë në treg.

Referuar një letre drejtuar Ministrisë së Financave, në lidhje me Projektvendimin: “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ‘ndërtesa’, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”,  Aleanca e Profesionistëve të Lirë thekson se drafti aktual paraqet disa problematika që lidhen me transparencën e metodologjisë së çmimeve referencë dhe vështirësi për tu reflektuar realitetin e tregut.

Sipas Aleancës, në relacionin shoqërues parashikohet se çmimet e referencës janë përllogaritur mbi bazën e transaksioneve të viteve 2022–2024, duke përjashtuar ato që “nuk kanë logjikë ekonomike” ose që janë nën nivelin e referencës.

 “Përjashtimi selektiv i transaksioneve që shënojnë çmime më të ulëta nga referenca, pa një argumentim të qartë, priret të krijojë një pasqyrë të njëanshme të tregut dhe të prodhojë një efekt rritës artificial të çmimeve, duke cenuar parimin e neutralitetit fiskal. Nuk jepet asnjë garanci se janë filtruar transaksionet e fryra apo të lidhura me fenomene të paligjshme, si p.sh. pastrimi i parave, çka mund të shtrembërojë më tej çmimet mesatare” thuhet në letër.

Po ashtu si problematike shikohet vendosja e një vlere dysheme nën të cilën nuk lejohen transaksione, çka kufizon reflektimin e tregut real dhe “ndalon” rënien e çmimeve,   duke penguar funksionimin natyral të ofertës dhe kërkesës.

Projektvendimi parashikon që çmimi të ndikohet nga projekte të ardhshme zhvillimore apo plane strategjike urbane. “Kjo qasje mbart rrezik, pasi përdor projeksione ende të pasigurta dhe jo të realizuara për të justifikuar çmime më të larta, ndërkohë që të dhënat reale të tregut përjashtohen si të papërshtatshme. Përdorimi i pritshmërive të pasigurta si faktorë çmim-formues është i pabazuar në logjikën ekonomike dhe mund të çojë në deformim të tregut”, thuhet në analizën e Aleancës së Profesionistëve të Lirë.

Dispozita e cila e konsideron “përdorues” edhe individin që mban në posedim një njësi pa leje ndërtimi apo dokument pronësie, pa aplikuar për legalizim, konsiderohet se dobëson përpjekjet për uljen e informalitetit në sektorin e ndërtimit dhe krijon perceptim për legjitimim të faktit të kryer.

Po ashtu, vlerësohet se përdorimi i metodave alternative për llogaritjen e taksës pa kritere të qarta mund të ngarkojë tatimpaguesit për shkak të boshllëqeve e mosharmonizimit institucional.

Për këtë arsye, Aleanca e Profesionistëve të Lirë del në përfundimin se projektvendimi, në formën aktuale, paraqet disa pasiguri dhe situata te diskutueshme për funksionimin e tregut të pasurive të paluajtshme, për sigurinë juridike dhe për parimin e barazisë tatimore. Rekomandohet rishikimi i dispozitave problematike duke vendosur kritere objektive, të matshme dhe të verifikueshme, si dhe kufizime të qarta për të shmangur arbitraritetin dhe deformimet në treg.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat