Shqipëria Postuar më 25 Gusht 2025, 13:03

Taksa e pasurisë, 53 milion euro nga shtëpitë - Rriten të ardhurat për bashkitë, metodologji e re

Nga Elisabeta Dosku

Taksa e pasurisë, 53 milion euro nga shtëpitë - Rriten të

Taksa e pasurisë është ndër furnizuesit kryesor të buxhetit të bashkive në Shqipëri, pavarësisht se ende nuk ka nisur zbatimi i plotë i vjeljes së saj në bazë të vlerës së pronës.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave,  tregojnë se në 7 muajt e parë të  këtij viti,  61 bashkitë në vend kanë arkëtuar afro 5.3 miliardë lekë apo 53 milionë euro, me një rritje progresive nga viti në vit, duke bërë që të arrihet shifra më e lartë e dekadës së fundit për këtë periudhë. Në raport me vitin 2015, të ardhurat nga kjo taksë janë dyfishuar.

Krahasuar me 7 mujorin e të vitit 2024, taksa mbi ndërtesat ka furnizuar njësitë e vetëqeverisjes vendore, rezulton të jetë me rritje në masën  3.3 %.

Nevoja për më shumë të ardhura dhe domosdoshmëria për të shlyer stokun e detyrimeve të prapambetura, i ka bërë që bashkitë t’i japin më shumë vëmendje vjeljes së taksës mbi ndërtesat ndonëse ende nuk ka nisur aplikimi i saj sipas vlerës së tregut.

Ndikim në këtë perfomancë ka pasur rritja e sipërfaqeve ndërtimore, zhvillimi që ka marrë ky sektor kryesisht në zonat bregdetare si dhe rritja e numrit të transaksioneve.  Peshën më të madhe në mbledhjen e kësaj takse e ka Bashkia Tiranë, ndjekur nga bashkitë në zonat bregdetare dhe njësitë e tjera të mëdha.

Qeveria parashikon që të mbledhin afro 20 milionë euro shtesë nga taksa e pasurisë në vitin 2025, të cilat do të gjenerohen për shkak të bërjes funksionale të kadastrës fiskale përgjatë këtij viti,  e cila do të shërbejë për mbledhjen më efikase të taksës së ndërtesës.

Nga ana tjetër së fundi është hedhur për konsultim edhe projektligji që përcakton metodologjinë e re të taksimit të ndërtesave, i cili pritet që me hyrjen ne fuqi të ndikojë në këtë perfomancë.

Numri i njësive pronësore të taksueshme në Shqipëri është 797 mijë, nga të cilat 412 mijë  janë të kompletuara me informacion.

Ndërsa ligji i ri për taksimin e pasurive të paluajtshme ndërtesa në bazë të vlerës së tregut nis aplikimin nga 1 Janari 2026, dhe për parcelat nga viti 2028.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat