Shqipëria Postuar më 11 Shkurt 2026, 13:56

Takim trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes!

Nga SCAN TV

Takim trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci për bashkëpunim

Në Shkodër u mbajt takimi trepalësh për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant, Arben Kingji kryesoi takimin së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Takimi ka në fokus thellimin e bashkëpunimit ushtarak përmes planeve konkrete.

Takim trepalësh Shqipëri-Kosovë-Kroaci për bashkëpunim

“Qëllimi i këtij takimi është forcimi i angazhimit dhe bashkërendimit ushtarak, në përputhje me marrëveshjen trilaterale të mbrojtjes mes vendeve tona”, u shpreh gjenerallejtënant Kingji në një postim në rrjetet sociale ku solli momente nga takimi.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia në këtë mënyrë po konkretizojnë në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakordësuan kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë.

Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.

Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat