Shqipëria Postuar më 2 Prill 2026, 10:02

Takim teknik Shqipëri–Greqi në Athinë: Përparon zbatimi i marrëveshjes për “Green Lanes”

Nga Edel Strazimiri

Takim teknik Shqipëri–Greqi në Athinë: Përparon

Administrata Doganore Shqiptare dhe ajo greke zhvilluan një takim teknik në Athinë për të avancuar zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në fushën doganore, të nënshkruar në dhjetor 2025.

Takimi u mbajt në selinë e Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga të dy vendet dhe Sekretariati i CEFTA-s, në kuadër të nismës europiane “Green Lanes”.

Në fokus të diskutimeve ishte shkëmbimi paraprak i të dhënave ndërmjet palëve, me synim përshpejtimin e procedurave doganore dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave në kufi. Palët trajtuan gjithashtu përdorimin e sistemit SEED, integrimin e sistemeve IT dhe përmirësimin e komunikimit ndërinstitucional.

Gjatë takimit u dakordësuan hapat e mëtejshëm për rritjen e efikasitetit të kontrolleve dhe forcimin e bashkëpunimit teknik, duke synuar reduktimin e kohës së pritjes dhe lehtësimin e tregtisë ndërkufitare.

Memorandumi për “Green Lanes” synon modernizimin e bashkëpunimit doganor mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe përafrimin e procedurave me standardet e Bashkimit Europian, në funksion të integrimit europian të vendit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat