Shqipëria Postuar më 1 Gusht 2025, 10:24

Subvencionim i kredisë me interes 0% për banesa - Cilat janë kategoritë përfituese? Programi zbatohet nga Enti Kombëtar i Banesave

Nga Ernilda Luzi

Subvencionim i kredisë me interes 0% për banesa - Cilat janë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim në mbështetje të familjeve në nevojë për strehim, duke përcaktuar procedurat dhe dokumentacionin për përfitimin e kredisë me interes 0%, të subvencionuar nga buxheti i shtetit. Programi zbatohet nga Enti Kombëtar i Banesave (EKB) dhe synon lehtësimin e barrës financiare për kategori të caktuara familjesh që kanë nevojë për strehim.

Vendimi përcakton qartë kategoritë që përfitojnë nga ky program, përfshirë: Familjet që banojnë si qiramarrës në ish-prona private; Familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë; Fëmijët në përkujdesje të Republikës.

Aplikimi për përfitimin e kredisë me interes 0% kryhet nga kryefamiljari/kujdestari ligjor në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit.

Kryefamiljari ose kujdestari ligjor duhet të ngarkojë dokumentacionin përkatës, përfshirë vërtetimet nga Kadastra, tatimet dhe certifikatën familjare. Në rastin e qiramarrësve në ish-prona private dhe fëmijëve në përkujdesje, kërkohet dokumentacion shtesë që vërteton statusin e tyre ligjor dhe social.

Ndërkohë, lista e familjeve që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 %, miratohet me vendim të komisionit ad hoc të kredisë, të ngritur pranë EKB-së. Komisioni ad-hoc ngrihet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, brenda 5 (pesë) ditëve nga paraqitja e kërkesave. Komisioni shqyrton kërkesën brenda 10 (dhjetë) ditëve nga ngritja e tij. Ndaj vendimit të refuzimit të komisionit, kërkuesit paraqesin ankim administrativ pranë EKB-së brenda 5 (pesë) ditëve nga njoftimi i vendimit, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet e parashikuara të këtij vendimi, për banesa me kosto të ulët, është me 0 (zero) % interes. Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë zbatohet nga institucionet financiare me të cilat ministria përgjegjëse për strehimin ka lidhur marrëveshje.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat