Shqipëria Postuar më 11 Prill 2025, 09:49

Subjektet politike “ndezin motorët” e fushatës - Një muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit

Nga Hamit Yzeiraj

Subjektet politike “ndezin motorët” e fushatës - Një

Subjektet politike, që garojnë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit nisin sot fushatën elektorale.

Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të nisin rrugëtimin mbrëmjen e sotme në orën 19.00 në sheshin “Nënë Tereza” të Tiranës.

Ndërkohë, Partia Socialiste, që kërkon mandatin e katërt qeverisës ka përzgjedhur sheshin “Skënderbej”. Ka qenë vetë kryeministri dhe kreu i kësaj force politike, Edi Rama, i cili një ditë më parë ka njoftuar datën 12 prill, ora 12.00 për shkak të simbolikës së 12 yjeve në flamurin e BE dhe fokusit te integrimi evropian.

“Koalicioni Euroatlantik”, me drejtues politik Lulzim Bashën do të hapë fushatën më 12 Prill, në orën 11:00, në një restorant privat pranë Tiranës. Partia “Mundësia” çel fushatën të dielën ora 17.00 tek Pallati i Kongreseve. Nisma “Shqipëria Bëhet” do të hapë fushatë në Vlorë më 12 prill, ora 18:00, në sheshin para stadiumit “Flamurtari”. Ndërsa, “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier ora 10:30 te Teatri Bylis.

Për 140 mandatet e Kuvendit, çdo forcë apo koalicion, sipas formulës së re elektorale, ka 186 kandidatë për deputetë, ku 46 janë nga lista e mbyllur dhe 140 nga lista e hapur.

Risi e këtyre zgjedhjeve është votimi për herë të parë e diasporës. Zyrtarisht janë regjistruar për të votuar 245,935 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, pjesa më e madhe të cilëve në Itali, Greqi dhe Gjermani.

Ndërkohë, pak ditë më parë Ministria e Brendshme publikoi listën përfundimtare të zgjedhësve për votuesit brenda vendit.

Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114,642 zgjedhës votojnë për herë të pare, 1,081 shtetas të papërfshirë, për shkak të dekriminalizimit. Ndërsa, 5,225 është numri i qendrave të votimit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat