Shqipëria Postuar më 11 September 2026, 13:49

Strehimi përballë çmimeve - Demirxhiu: Të ulen kuotat, të rriten vlerat

Nga Diamila Leka

Strehimi përballë çmimeve - Demirxhiu: Të ulen kuotat,

Reforma e re e strehimit synon të sjellë në treg 7 mijë apartamente përmes kredive të buta, duke zgjeruar mbështetjen edhe për çiftet e reja, profesionistët dhe familjet e reja. Por, ndërsa qeveria prezanton paketën e re, tregu i pasurive të paluajtshme ngre pikëpyetje mbi vlerën reale të kësaj mbështetjeje.

“Tani, çdo nismë faktikisht që ka të bëjë me strehimin, që ka të bëjë me ndihmën, sidomos për çiftet e reja, normalisht që është një nismë e mirëpritur. Problemi është varet se si do të implementohet. Nëse do të flasim për vlera 50-60 mijë euro apo 70 mijë euro, unë mendoj që do të jetë një nismë e dështuar. Sepse me këtë vlerë nuk do arrijnë të marrin diçka. Nëse po flasim pastaj për apartamente të cilat i ka marrë shteti, i ka marrë vetë dhe do t'jua japë, është tjetër gjë. Por me 60 mijë euro, me 70 mijë euro është e pamundur që një çift të blejë një pasuri të paluajtshme. Është më mirë të ulim kuotat e përfituesve dhe të rrisim vlerat, që vërtet këto të kenë mundësi të marrin diçka. Mos bëjmë propagandë që do të strehojmë 7 mijë çifte të reja e do të japim 7 mijë çelësa apartamentesh, por mund të jetë 3.500 dhe të jenë vërtet të prekshme. Pra, përgjysmoni numrin e kuotave dhe bëjini vërtet të prekshme.”

Por a mund të ndikojë kjo politikë edhe në vetë tregun e pasurive të paluajtshme?

“Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndikim. Sigurisht që do të jetë një kërkesë e shtuar në treg. Do të jetë një kërkesë e shtuar në treg, por nuk mendoj që do të jetë aq e madhe kjo kërkesë e shtuar sa që të ndikojë në rritjen e çmimeve apo diçka tjetër në lidhje me çmimin. Nuk mendoj që do të ketë ndikim tek çmimet. Thjesht shpresojmë të bëhet siç duhet për t'i ardhur vërtet në ndihmë qytetarëve.”

Ndërsa qeveria synon të zgjerojë aksesin në strehim, mbetet për t'u parë nëse kufijtë financiarë të përcaktuar nga skema do të përputhen me çmimet reale të tregut.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat