Shqipëria Postuar më 18 Dhjetor 2025, 11:21

Strategji e re për sektorin minerar - Fokusi në 15 vitet e ardhshme te kërkim-zbulimi, përpunimi e standardet mjedisore

Nga Ola Mitre

Strategji e re për sektorin minerar - Fokusi në 15 vitet e ardhshme te

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik draft-Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Sektorit Minerar 2026–2040, një dokument afatgjatë që synon transformimin e industrisë nxjerrëse nga një sektor i fokusuar kryesisht te eksporti i lëndëve të papërpunuara, drejt një modeli me më shumë vlerë të shtuar, standarde më të larta mjedisore dhe integrim në zinxhirët europianë të furnizimit.

Strategjia përcakton pesë politika kryesore dhe një paketë masash prioritare që prekin kërkim-zbulimin, modernizimin e përpunimit, sigurinë dhe mjedisin, kapitalin njerëzor, si dhe transparencën e të dhënave minerare. Një nga masat kryesore është hartimi dhe zbatimi i Planit Kombëtar të Kërkimeve Gjeologjike, me synimin për të identifikuar vendburime të reja dhe për të rivlerësuar rezervat ekzistuese sipas standardeve ndërkombëtare.

Dokumenti parashikon gjithashtu rritjen e përpunimit të mineraleve dhe zhvillimin e industrive të lidhura me riciklimin dhe ripërdorimin e mbetjeve minerare, në përputhje me parimet e ekonomisë qarkulluese dhe Aktin Evropian për Lëndët e Para Kritike. Një tjetër fokus i rëndësishëm është rehabilitimi i zonave minerare të ndotura, përmirësimi i standardeve të sigurisë teknike në punë, si dhe certifikimi mjedisor i impianteve përpunuese.

Në draft-strategji theksohet edhe nevoja për investime në kapitalin njerëzor, përmes përshtatjes së programeve arsimore me nevojat e tregut, krijimit të infrastrukturës moderne kërkimore dhe forcimit të kapaciteteve të institucioneve publike për monitorim dhe kontroll të sektorit minerar.

Megjithatë, dokumenti evidenton një hendek të konsiderueshëm financiar mes nevojave për zbatim dhe burimeve të siguruara aktualisht, ndërsa për mbulimin e tyre parashikon një kombinim të fondeve publike, investimeve private, mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë dhe instrumenteve të Bashkimit Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat