Shqipëria Postuar më 10 Maj 2025, 11:23

Sot heshtje zgjedhore, gjoba në rast shkeljeje - Masat administrative, Kodi Zgjedhor: 500 mijë lekë për partitë, 2 mln lekë për mediat

Nga Ola Mitre

Sot heshtje zgjedhore, gjoba në rast shkeljeje - Masat administrative, Kodi

Pas përmbylljes së fushatës elektorale, Shqipëria ka hyrë në heshtje zgjedhore, ndërsa të dielën e 11 majit qytetarët do t’i drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur se kush do t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme.

Sipas Kodit Zgjedhor dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Kjo do të thotë se nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje.

Ndërkaq, në rast të shkeljeve të heshtjes zgjedhore, Kodi parashikon edhe masa. Më konkretisht, subjekti zgjedhor që thyen heshtjen zgjedhore, gjobitet nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve me 500 000 lekë. Ndërkohë që, botuesi ose operatori radioteleviziv me 2 000 000 lekë.

Po ashtu, Kodi Zgjedhor përcakton se ankimi ndaj vendimit të KQZ-së për gjobën nuk pezullon ekzekutimin e saj.

Këto masa synojnë të sigurojnë një proces zgjedhor të ndershëm dhe të paanshëm, duke garantuar që zgjedhësit të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre pa ndikime të jashtme në periudhën e heshtjes zgjedhore.

Ndërkohë, Kryekomisioneri Ilirian Celibashi në një postim në rrjetet sociale këtë të shtunë ka bërë një paralajmërim për subjektet.

"Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve urdhëron respektimin e plotë të heshtjes zgjedhore, e cila ndalon çdo lloj fushate apo thirrjeje elektorale, përfshirë edhe atë në rrjetet sociale. Subjektet zgjedhore nuk duhet të adresojnë mesazhe politike apo elektorale gjatë heshtjes zgjedhore, në asnjë formë", shkruhet në njoftimin e KQZ.

Në garë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit janë 11 parti apo koalicione. 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat