Shqipëria Postuar më 22 Maj 2026, 14:25

Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026 nis më 25 maj - AZHBR informon fermerët për kushtet e aplikimit

Nga Edel Strazimiri

Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026 nis më 25 maj - AZHBR informon

Fermerët do të kenë mundësi të aplikojnë për përfitimin e subvencioneve nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026 duke filluar nga data 25 maj. Në prag të hapjes së thirrjes, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural po zhvillon një seri takimesh informuese në të gjithë vendin për të orientuar aplikantët mbi procedurat dhe kriteret e përfitimit.

Një prej këtyre takimeve u zhvillua sot në Berat, ku përfaqësues të agjencisë prezantuan detajet e skemës dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë fermerët për të aplikuar me sukses.

Drejtoresha e AZHBR-së, Ardita Kuçi, bëri të ditur se specialistët e institucionit kanë ofruar sqarime mbi kushtet e përfitimit, procedurat administrative dhe mënyrën e aplikimit për secilën nga masat mbështetëse të parashikuara për këtë vit.

Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive që ofron skema për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore, rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së fermave në treg.

Sipas të dhënave të AZHBR-së, Skema Kombëtare 2026 përfshin gjithsej 9 masa mbështetjeje direkte dhe 3 masa investimesh, të konceptuara për të lehtësuar kostot e prodhimit dhe për të nxitur investimet në sektorin bujqësor dhe blegtoral.

Programi mbështetet në një fond fillestar prej 5.2 miliardë lekësh dhe është hartuar pas konsultimeve me fermerë nga zona të ndryshme të vendit. Ai synon të krijojë më shumë mundësi financimi për fermerët, duke mbështetur investimet, mekanizimin, certifikimin e produkteve, zhvillimin e blegtorisë, zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara dhe formalizimin e aktivitetit bujqësor, në përputhje me praktikat dhe standardet e Bashkimi Evropian.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat