Shqipëria Postuar më 29 Janar 2025, 13:44

Skema e re e pensioneve dhe formula e përfitimit - Ekspertët: Reforma më e mirë. Mirëqënie dhe ulet deficiti

Nga Alida Lula

Skema e re e pensioneve dhe formula e përfitimit - Ekspertët: Reforma

Javën e ardhshme pritet të prezantohen opsionet e mundshme të reformimit të skemës së pensioneve në konferencën ndërkombëtare “Reformimi i sistemit të pensioneve në Shqipëri”.

Rritja e numrit të popullatës në moshë pensioni në raport me numrin e kontribuuesve në skemë, kanë bërë që qeveria të rishikojë skemën e sigurimeve, ku pensioni të lidhet direkt me masën e kontributeve. Risitë e skemës lidhen me vjetërsinë minimale për të përfituar pension pleqërie apo pension social, nivelin e kontributit të dhënë, si dhe më kryesorja ndryshimi i gjithë formulës së përfitimit.

Në raportin e fundit, FMN projekton se kontributet supozohet të rriten së bashku me PBB-në për punëtor. Stimulimet bazohen në një grup të thjeshtë supozimesh që lidhen me çdo masë reformuese, përfshirë reformën e pagave si dhe ndikimin e emigrimit në numrin e mundshëm të përfituesve. Eksperti për çështjet e pensioneve Ramadan Kondi, ka thënë në emisionin GDP në SCAN tv, se duhet të përdoren skema të kombinuara.

“Skemat e kombinuara janë më të mira, madje duke përcaktuar dhe moshën kur duhet të fillojë, por futja në skemën kontribut për kontribues, është një barë e papërballueshme. Buxheti i shtetit mund të mos marë pjesë direkt në skemë, por duke përdorur reforma indirekte’’ - thotë eksperti Kondi.

Skema e re që po ndërmerret së bashku me Bankën Botërore, synon ngushtimin e diferencës mes pensionit minimal dhe atij maksimal. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se vitin e kaluar, 51% e pensionistëve përfituan pension të pjesshëm.

Ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi, në emisionin GDP, tha se kjo reformë konsiston në zhvillimin e parimit të pamjaftueshmërisë, duke siguruar përfitime më të larta për pensione nga skema e detyrueshme si dhe për kategoritë më vulnerabël të shoqërisë, siç janë pensionet e invaliditetit apo ato familjare.

“Po shikojmë një qasje, ku po jepet konsulenca e ndërkombëtarëve për të parë kush është zgjidhja më e mirë. Mendoj se kjo reformë, do të ndikojë më shumë pozitivisht se reformat e kaluara, do të jetë më e qëndrueshme për të zgjidhur problematikat me deficitin e skemës, por dhe për nivelin e pensioneve në Republikën e Shqipërisë dukë ndikuar në mirqënie,” thotë ekspertja dhe pedagogia Radonshiqi.

Aktualisht skema është me deficit, pasi kontributet nuk mbulojnë vlerën e pensioneve, për këtë arsye buxheti i shtetit paguan çdo vit rreth 500 milionë euro për ta financuar këtë skemë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat