Shqipëria Postuar më 19 Gusht 2026, 10:34

Skema e pensioneve “mbledh” mbi 1.2 miliardë euro/ 7-mujori, rriten ndjeshëm të ardhurat nga të punësuarit

Nga Elisabeta Dosku

Skema e pensioneve “mbledh” mbi 1.2 miliardë euro/ 7-mujori,

Vetëm në muajin Korrik, të punësuarit në vend kanë derdhur afro 17.9 miliardë lekë apo rreth 179 milionë euro në arkën e shtetit si kontribut për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se në muajin Korrik 2026, janë arkëtuar afro 2.1 miliardë lekë apo 21 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. E shprehur në përqindje, rritja e të ardhurave regjistrohet në 13.1%.

Nga ana tjetër kjo shifër është rekord në dekadën e fundit.

Ndërsa në 7 mujor, pra për periudhën janar-korrik 2026, të ardhurat nga detyrimet që kanë paguar punonjësit në sektorin, privat, shtetëror si dhe të vetëpunësuarit në bujqësi për skemën e pensioneve kanë arritur në 111.8 miliardë lekë apo afro 1.2 miliardë euro.  Ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë, arkëtimet nga ky zë regjistroheshin në 100 miliardë lekë.

Në këtë perfomancë në rritje kanë ndikuar disa faktorë. Së pari është rritja e pagave në sektorin publik, ndjekur dhe nga sektori privat, duke bërë që paga mesatare në vend të rritet ndjeshëm duke arritur në nivelin e afro 1 mijë euro në muaj dhe si rrjedhim dhe pagesa e punonjësve për sigurime.

E dyta lidhet me reformën antiinformalitet, fokusuar kryesisht në nëndeklarimin e pagave, çka solli një rritje të deklarimeve dhe si rrjedhim dhe të të ardhurave të paguara nga kontributet.

Po ashtu, vendosja e pagave reference përgjatë këtij viti në sektorë si turizmi, ndërtimi dhe mjekësia, kanë sjellë një efekt direkt në rritjen e kontributeve dhe shëndoshjen e skemës.

Nga ana tjetër rritja e pagës minimale në shkallë vendi në 50 mijë lekë nga muaji Janar kanë ndikuar në këtë drejtim.

Një faktor tjetër lidhet me rritjen e numrit të bizneseve të hapura në Shqipëri përgjatë vitit 2026 si dhe mirëadministrimi nga ana e administratës tatimore, që duket sikur po kompenson disi edhe mungesën e fuqisë punëtore në vend.

Pagesa minimale për kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për individ është rreth 13.950 lekë në muaj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat