Shqipëria Postuar më 9 Janar 2026, 10:40

Skema e investimeve, 27 shkurti afati i fundit për dokumentet - Nga rrjetat antibreshër, tek serat diellore dhe agroturizmi. Deri 150 mijë euro financim

Nga Elisabeta Dosku

Skema e investimeve, 27 shkurti afati i fundit për dokumentet - Nga rrjetat

Fermerët që kanë aplikuar për Skemën e Investimeve, do të kenë afat deri më datën 27 Shkurt 2026 për të dorëzuar dokumentacionin plotësues të dosjes së tyre.

Përmes një udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave, qeveria ka vendosur këtë datë si afat përfundimtar, ndërsa udhëzimi i mëparshëm lejonte një hapësirë prej 60 ditë pas përfundimit të aplikimit.

Po ashtu, në udhëzim përcaktohet se dorëzimi i dokumenteve përtej datës 27 shkurt 2026, do të skualifikojë aplikantët dhe në këtë pikë përjashtohet vetëm dokumenti i lejes së ndërtimit apo miratimit të njoftimit të punimeve/kontratës së lidhur me MBZHR, për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës për masën 17 e cila duhet të paraqitet para lidhjes së kontratës.

Më 30 shtator u mbyllën aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2025, me gjithsej 801 aplikime të regjistruara për nëntë masa mbështetëse që synojnë modernizimin e fermave, rritjen e prodhimit vendas dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.

Konkretisht, financimi më i lartë do të jepet për ndërtimin e serrave diellore të reja për perime, luleshtrydhe dhe rrush tavoline, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes, me sipërfaqe minimale 0.2 ha dhe sipërfaqe maksimale 2 ha.

Për këtë masë financimi nis nga 40 mijë euro për ha luleshtrydhet deri në  150 mijë euro/ha për serat e prodhimit të perimeve apo 50% të vlerës totale të faturave tatimore.

Për investime në mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve, agrumeve dhe vreshtave, financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha, masa e përfitimit arrin deri në 8 mijë euro për hektarë.

Rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, masa e përfitimit arrin deri në 15 mijë euro/hektarë. Financimi të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 5  ha.

Për sistemet e ujitjes me pika në pemëtore, ullishte, agrume dhe vreshta ekzistues, financimi arrin deri në 2500 euro/ha.

Për ndërtimin e ambienteve të reja për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, financimi arrin deri në 150 mijë euro për subjekt.

Për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit arrin në 50 mijë euro për subjekt.

Mbështetja për linja/makineri/pajisje për përpunimin, seleksionimin, paketimin dhe etiketimin e perimeve, frutave, rrushit dhe verës, ullirit dhe vajit të ullirit arrin në afro 75 mijë euro për subjekt

Mbështetja për investime në agroturizëm do të jetë deri në 150 mijë euro për subjekt dhe po ashtu për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshku.

Për të përfituar nga këto masa mbështetëse, aplikanti: -nuk duhet të jetë debitor ndaj AZHBR-së dhe MBZHR-së; nuk duhet jetë debitor ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve,  të ketë shlyer “sigurimet shoqërore” në rastin e fermerëve individualë; të ketë tokën në pronësi dhe/ose me qira/huapërdorje për të paktën 5 vjet, duke filluar nga viti i aplikimit; të ketë lejen përkatëse të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi, para lidhjes së kontratës.

Përfituesve nga masat e mbështetjes së investimeve, pas lidhjes së kontratës u paguhet paraprakisht deri në 30% të masës së financimit të kontraktuar, kundrejt garancisë së pagesës së lëshuar nga shoqëri sigurimi dhe/ose banka, sipas përcaktimeve të kontratës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat