Shqipëria Postuar më 10 Korrik 2025, 10:44

Situata e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit - MM: Tri vatra aktive nga 18 të raportuara!

Nga Edel Strazimiri

Situata e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit - MM:

Ministria e Mbrojtjes në lidhje me situatën nga zjarret në vend informoi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 18 vatra zjarri, nga të cilat 3 janë ende aktive. Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Vlorë, Dibër, Maliq, Korçë, Lezhë, Kurbin, Bulqizë, Malësi e Madhe, Përrenjas, Sarandë, Himarë, Poliçan, Kuçovë, Gjirokastër e Durrës.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se aktualisht mbeten aktive vatrat: Orikum, bashkia Vlorë – Në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Ditën e sotme në zonë po operojnë 8 forca zjarrfikëse, 4 forca bashkiake, 4 forca nga Shërbimi Pyjor, të ndihmuar nga 20 forca ushtarake të FA.

Qarku Dibër – Vijon të jetë në monitorim vatra e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinja në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Sipërfaqja e përshkuar nga zjarri vlerësohet në rreth 18 ha. Ditën e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale, por pritet të vijnë në ndihmë rreth 25 persona në mbështetje të tyre.

Dibër – Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Ditën e djeshme për shuarjen e tij janë angazhuar 7 efektivë të MZSH Dibër dhe 5 forca të AdZM. Zjarri është aktiv brenda perimetrit të tij dhe po vazhdon me intensitet të ulët. Ditën e sotme po vazhdon puna nga forcat operacionale për shuarjen e plotë të tij.

Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 36 hektarë bimësi. Ndërsa u dogjën edhe 2500 rrënjë ullinj të moshës mbi 10 vjeçare, në fshatin Zgërbonjë, bashkia Poliçan. Policia e Shtetit ka ndaluar një shtetas, i cili është shoqëruar në komisariat, pasi dyshohet autori i ngjarjes.

Po ashtu janë djegur edhe rreth 30 rrënjë dru frutorë si, ullinj, kumbulla, fiq dhe hardhi pranë spitalit Kuçovë, në lagjen “11 Shkurti”, bashkia Kuçovë. Shkaku i zjarrit është nga këputja e telave elektrikë të tensionit të ulët. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 28 automjete zjarrfikëse dhe 237 forca. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 40 efektivë dhe 1 helikopter Cougar.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, sot priten reshje të dobëta shiu në qarqet: Shkodër, Kukës dhe Elbasan, ndërsa në qarqet Dibër, Durrës, Tiranë, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje lokalisht të dobëta.

Sa i përket zjarreve, pritet nivel “I LARTË” rreziku në qarqet Fier dhe Vlorë, nivel rrezik “I MODERUAR” në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Gjirokastër dhe nivel rrezik “I ULËT” në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër.

Strukturat e Mbrojtjes Civile bëjnë me dije se vijojnë të jenë plotësisht të angazhuara, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, për monitorimin dhe ndërhyrjen në kohë në çdo vatër zjarri, me qëllim minimizimin e dëmeve në mjedis dhe rrezikut për jetën e qytetarëve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat