Shqipëria Postuar më 9 Korrik 2025, 10:07

Situata e zjarreve në rang vendi - AKMC dhe MM informojnë mbi situatën e 4 vatrave ende aktive!

Nga Edel Strazimiri

Situata e zjarreve në rang vendi - AKMC dhe MM informojnë mbi

Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC kanë përditësuar situatën e zjarreve në rang vendi duke njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive. Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Vlorë, Finiq, Vau i Dejës, Poliçan, Dimal, Skrapar, Bulqizë, Dibër, Kavajë, Tiranë, Korçë, Librazhd, Fier, Kurbin dhe Kukës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat në Orikum, bashkia Vlorë, në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Aktualisht po operojnë në terren: 7 forca zjarrfikëse, 4 punonjës të Shërbimit Pyjor, 7 forca bashkiake, 40 forca ushtarake dhe helikopteri Cougar.

Në Poliçan, në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, ku për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, zjarri u përhap me shpejtësi. Rreziku për banesat u eliminua. Sot në terren ndodhen 7 efektivë me 2 automjete zjarrfikëse të MZSH Poliçan dhe 5 forca të Shërbimit Pyjor.

Në Bulqizë, në “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinja. Zjarri është me intensitet të ulët dhe nuk përbën rrezik për përhapje të mëtejshme. Janë evidentuar 3 vatra të ndara. Në operacion janë përfshirë 2 automjete zjarrfikëse me 11 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca të Shërbimit Pyjor dhe 3 vullnetarë. Sipërfaqja e djegur vlerësohet rreth 17 ha.

Në Dibër, në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe livadh. Për shkak të erës së fortë, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar një pjesë të madhe të parkut. Aktualisht nuk ka rrezik për zona të banuara. Në terren janë angazhuar 5 forca të AdZM, 6 zjarrfikës të MZSH Dibër, 5 forca bashkiake, 15 vullnetarë si dhe helikopteri Cougar.

Raste të tjera të evidentuara janë në fshatin Ndroq, Tiranë, u dogj një banesë 2-katëshe si pasojë e një zjarri. Në fshatin Mbrostar, Fier, zjarri përfshiu një hangar me bazë ushqimore për blegtorinë, duke shkaktuar ngordhjen e rreth 75 deleve dhe dëmtimin e lehtë të pronarit. Shkaku i zjarrit mbetet i panjohur.

Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 24 hektarë bimësi. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 31 automjete zjarrfikëse dhe 268 forca, përfshirë Forcat e Armatosura me 60 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse dhe helikopterin Cougar në dy vatra zjarri.

Sa i takon parashikimit të motit dhe rrezikut nga zjarret, sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Lezhë, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta. Sa i përket zjarreve nivel rreziku “I ulët” paraqitet në qarkun Shkodër, nivel rreziku “I moderuar” në qarkun Kukës dhe nivel rreziku “I lartë” në qarqet e tjerë.

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë plotësisht të angazhuara, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, për monitorimin dhe ndërhyrjen në kohë në çdo vatër zjarri, me qëllim minimizimin e dëmeve në mjedis dhe rrezikut për jetën e qytetarëve.

Ministria e Mbrojtjes bën edhe një thirrje për qytetarët që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në natyrë, të denoncojnë menjëherë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve dhe të bashkëpunojnë me strukturat shtetërore për mbrojtjen e jetës, pronës dhe natyrës sonë të përbashkët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat