Shqipëria Postuar më 24 Korrik 2025, 15:33

Situata e zjarreve, 34 vatra në 24 orët e fundit/ Ministria e Mbrojtjes: 8 vatra janë ende aktive, 3 nën monitorim

Nga Ernilda Luzi

Situata e zjarreve, 34 vatra në 24 orët e fundit/ Ministria e

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar bilancin e vatrave të zjarreve në vend. Në 24 orët e fundit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 8 vijojnë të jenë ende aktive dhe 3 janë nën monitorim. Situata më problematike është evidentuar në qarqet Shkodër, Lezhë, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.

Në vatrën e zjarrit, në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat pati një përmirësim të situatës pas ndërhyrjes edhe nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Por më vonë në mbrëmje zjarri u riaktivizua. Gjatë natës vatra është mbajtur në monitorim nga forcat zjarrfikëse. Ditën e sotme në terren kanë shkuar 40 efektivë nga Forcat e Armatosura. Pritet gjithashtu edhe ndërhyrje nga ajri me 1 helikopter të Forcës Ajrore.

Po ashtu, në vatrën e zjarrit pranë Parkut Kombëtar të Lurës, dje u ndërhy edhe me avionin Canadair kroat nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, gjë që solli një përmirësim të situatës në njërën nga vatrat. Me gjithë përpjekjet e forcave operacionale në terren, nuk u arrit të shuhej zjarri. Puna po vijon sërish sot.

Një tjetër vatër problematike është ajo në vendin e quajtur “Përroi i Zi”, ku dje, ndërhyrja edhe me avionin Canadair kroat ngadalësoi përhapjen e flakëve drejt disa banesave dhe staneve në zone, por temperaturat e larta dhe erërat e forta ndikuan negativisht në vënien nën kontroll të vatrës, e cila pati një perimetër shumë të madh.

Gjatë orëve të pasdites, pati një riaktivizim të fuqishëm të vatrës së zjarrit nga kufiri me Mirditën.

Autoritetet qëndrojnë në gatishmëri të plotë dhe janë në bashkëpunim të ngushtë me strukturat vendore dhe ndërkombëtare për menaxhimin dhe shuarjen e zjarreve. Qytetarëve u bëhet apel të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshuar pranë autoriteteve përkatëse.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat