Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2025, 10:54

Sistem shtetëror për të dhënat e turizmit - Cilat janë institucionet dhe subjektet që do të kontribuojnë për sektorin?

Nga Diamila Leka

Sistem shtetëror për të dhënat e turizmit - Cilat janë

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar një projektvendim, që synon ngritjen e një sistemi shtetëror të të dhënave për sektorin e turizmit, i cili do të përfshijë të dhëna parësore dhe dytësore, të nevojshme për zhvillimin, planifikimin dhe monitorimin e këtij sektori strategjik për vendin.

Sipas projektvendimit i cili është publikuar në Konsultimet Publike, të dhënat parësore janë ato që mblidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga institucionet përkatëse.

Ndërsa në projektvendim thuhet se baza e të dhënave shtetërore në Sistemin e të Dhënave në Turizëm, në vijim, baza e të dhënave, përbëhet nga të dhënat mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari si agjenci turistike, si udhërrëfyes turistik, stuktura akomoduese, si operator i turizmit detar, të dhënat mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari si agroturizëm dhe si operator turistik, te dhënat e ardhura nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, nga Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, nga Instituti i Statistikave, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Kufirit.

Ky sistem do të funksionojë përmes tre moduleve kryesore si Regjistri Qendror i Turizmit, moduli e-Visitor për regjistrimin e vizitorëve dhe moduli analitik për përpunimin e të dhënave statistikore.

Ministria e Turizmit thekson se kjo nismë synon jo vetëm përmirësimin e transparencës dhe qarkullimit të informacionit ndërinstitucional, por edhe lehtësimin e barrës administrative për operatorët turistikë, të cilët nuk do të duhet të raportojnë të njëjtat të dhëna në disa institucione.

Sistemi do të përputhet me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe do të mundësojë akses të kufizuar vetëm në të dhëna statistikore për subjektet e interesuara.

Projektvendimi është në përputhje me programin analitik të Ministrisë së Turizmit për vitin 2025 dhe nuk sjell efekte të menjëhershme buxhetore. Financimi dhe ndërtimi i sistemit do të planifikohen në një fazë të mëvonshme, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm drejt dixhitalizimit të plotë të sektorit të turizmit, duke garantuar të dhëna të sakta, në kohë reale, për zhvillimin e qëndrueshëm të destinacioneve turistike shqiptare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat