Shqipëria Postuar më 8 Tetor 2025, 13:09

Sigurimi nga tërmetet, kompanitë propozime për draftin - Hajdarmataj: Të rishikohet skema. Të përfshihen edhe fatkeqësitë e tjera natyrore!

Nga Elisabeta Dosku

Sigurimi nga tërmetet, kompanitë propozime për draftin -

Projektligji për sigurimin e detyrueshëm për tërmetet duhet të rishikohet sërish. Në këtë konkluzion ka dalë Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, e cila ka qenë pjesë e konsultimeve të organizuara nga Ministria e Financave me grupet e interesit. Në një intervistë për SCAN TV, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve, Mimoza Hajdarmataj, thekson se skema është tërësisht shtetërore dhe lë jashtë kompanitë e sigurimeve.

“Rekomandojmë që skema duhet të jetë e ndryshme. Pse insistojmë të ndryshohet skema? Sepse është një skemë tërësisht shtetërore dhe përmes këtij projektligji sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet bëhet përmes Fondit për tërmetet, që nuk e ka asnjë skemë në vendet e BE, dhe as Rumania apo Turqia, se ka tërësisht shtetërore,  kanë bashkëpunim me tregun e sigurimeve. S’jemi në kushtet për të ndërtuar një skemë që se ka asnjë nga vendete BE dhe që përjashtohet tregu i sigurimeve. Rekomandojmë që tregu i sigurimeve të jetë palë, sepse ndryshe shteti do ketë më shumë kosto të cilat do të rëndojnë mbi primin. Nga ana tjetër problem i prekshëm është dhe gjetja e risiguruesve."

Nga ana tjetër, Hajdarmataj thekson se Shqipëria nuk preket vetëm nga tërmetet por edhe nga katastrofat e tjera natyrore dhe më e mira do të ishte një ligj tërësor që i përfishin të gjitha.

“Të kemi një ligj të gjerë për fatkeqësitë natyrore, ku përfshihet sigurimi nga zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet dhe tërmetet. Duke pasur një kuadër të tillë ligjor dhe bashkëpunim me tregun e sigurimeve, mendojmë se interesat e qytetarëve do të mbrohen më mirë por edhe interesat e qeverisë përsa i përket buxhetit që do të alokojë për mbështetjen e shtresave në nevojë. Në këtë rast edhe primi do të jetë më i ulët dhe tregu i sigurimeve dhe siguruesit do të jenë aty për të mbuluar dëmet”.

Gjatë takimit me grupet e interesit, Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se me zbatimin e ligjit, mbulimi efektiv i sigurimit do të rritet gradualisht ndër vite, si dhe do të përmirësohet ndjeshëm sistemi i menaxhimit të riskut në Shqipëri, duke krijuar kështu një mbrojtje financiare më të qëndrueshme .

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat