Shqipëria Postuar më 5 Korrik 2025, 12:16

Sigurimi i pronës, i detyrueshëm për shqiptarët? - Hajdarmataj: Primet bëhen më të përballueshme nga rritja e numrit të të siguruarve

Nga Ledina Elezi

Sigurimi i pronës, i detyrueshëm për shqiptarët? -

Prona në Shqipëri vijon të mbetet një ndër asetet që sigurohet më pak. Për të nxitur sigurimin në masë dhe zvogëluar kështu kostot e primeve, shumë shtete e kanë bërë të detyrueshëm sigurimin e pronës. Por, sa e mundur është që diçka e tillë të bëhet edhe në Shqipëri?

Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Mimoza Hajdarmataj, u shpreh se eksperienca e vendeve si Italia apo Greqia, ka treguar që vetëm sigurimi i detyrueshëm i pronës mund të shtojë ndjeshëm numrin e të siguruarve, e cila sjell si rrjedhojë uljen e kostos së qytetarëve për këtë lloj sigurimi dhe rritjen e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore.

“Ka qenë Franca, është Italia që e ka të detyruar sigurimin e biznesit dhe së fundmi, është e vërtetë që Greqia tashmë bëhet për ne një shembull domethënës dhe i drejtë. Kjo fjala detyrim, në fakt ngjan pak si e vrazhdë, por shtetet që kanë kaluar nëpërmjet kësaj përvoje, siç së fundmi edhe Greqia, ju ka rezultuar që është pozitive në kuptimin që duke u siguruar masivisht, duke pasur shteti një politikë mbrojtëse ndaj një kategorie që e ka të pamundur nga ana financiare për të mbuluar një pjesë të primit dhe bashkëpunimi pra, shtet-privat për të rritur numrin e të siguruarve, për ta formalizuar tregun e sigurimit të pronës tashmë, bën që primi të bjerë, të jetë i përballueshëm dhe të jemi të mbrojtur para nga humbjet, nga katastrofat,” u shpreh Hajdarmataj.

Sipas saj, përmes një bashkëpunimi të tillë midis shtetit dhe privatit, arrihet dëmshpërblimi i menjëhershëm për pronën e dëmtuar.

“Po, me një ndërhyrje serioze ligjore, siç e bëri Greqia së fundmi, me bashkëpunim me kompanitë, me tregun e sigurimeve, me transparencë, duke rritur dhe besimin që këto janë skema që dëmshpërblejnë menjëherë, nuk ke pse të presësh në radhë apo pse të presësh me vite, por menjëherë ke një skemë sigurimi që funksionon për të të dëmshpërblyer, për të mos pasur pasoja ekonomike, financiare, sociale, më mbrapa,” tha Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve.

Të dhënat më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në pesëmujorin e parë, ka pasur një ulje prej 8.42% të vëllimit të primeve të shkruara bruto nga sigurimi prej zjarrit dhe forcat e natyrës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat