Shqipëria Postuar më 28 Mars 2026, 11:22

Sigurimi i makinave, sa ka ndryshuar çmimi me bonus-malus?/ AMF: Të ardhurat e kompanive nga MTPL rriten me ritmin më të ulët që prej 2022

Nga Ledina Elezi

Sigurimi i makinave, sa ka ndryshuar çmimi me bonus-malus?/ AMF: Të

Në fillim të vitit 2025, nisi zbatimi i skemës së re të sigurimit të makinave, bonus-malus, që parashikon përllogaritjen e primit të sigurimit mbi bazën e 7 faktorëve të riskut. Pra, çmimi për sigurimin e makinës do të përcaktohet sipas historikut të aksidenteve, fuqisë motorike, moshës së shoferit, eksperiencës në drejtimin e makinës, vjetërsisë dhe qarkut të regjistrimit të mjetit, si dhe nëse makina është në pronësi të një individi apo biznesi.

Vetëm aksidentet e bëra nga 2025 e në vijim po numërohen, ndërsa ato të viteve të mëparshme nuk do të merren në konsideratë. Duke qenë se viti 2025 tashmë është mbyllur, sa po ndikojnë aksidentet e bëra gjatë vitit të kaluar në përcaktimin e çmimit të sigurimit në 2026?

Këtë mund ta zbulojmë përafërsisht edhe nga vlera e primeve që kompanitë e sigurimit kanë arkëtuar nga policat e sigurimit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto nga MTPL e brendshme ishin 2 miliardë lekë në dy muajt e parë të këtij viti, duke u rritur me vetëm 5.3% në krahasim me 2025.

Kjo rezulton të jetë rritja më e vogël që prej vitit 2022, e të ardhurave të arkëtuara prej kompanive të sigurimit nga shitja e policave. Shifrat tregojnë se deri më tani, skema e re e sigurimit nuk po rëndon aq shumë në xhepat e drejtuesve të automjeteve sa parashikohej në fillim dhe kompanitë e sigurimit vijojnë të arkëtojnë prime në nivele të qëndrueshme. Megjithatë, kjo rritje e primeve mund të mos lidhet domodoshmërisht me çmimin, por edhe me numrin e kontratave të policave të sigurimit.

Po për produktet e tjera të sigurimit motorik, si u mbyll viti 2025?

Statistikat zyrtare tregojnë se sigurimi kufitar dhe ai me Karton Jeshil nuk po zgjidhen më nga drejtuesit e automjeteve. Pavarësisht se numri i hyrje-daljeve në kufi sa vjen e rritet, shifrat flasin për një ulje të automjeteve të regjistruara në Shqipëri të cilat udhëtojnë jashtë vendit dhe sigurohen me Karton Jeshil, si dhe zvogëlim i primeve të sigurimit kufitar, për automjetet me targa të huaja që qarkullojnë brenda territorit të Shqipërisë.

Kështu, primet e shkruara bruto për Kartonin Jeshil ranë me 4.3% në 2025, ndërsa për sigurimin kufitar me gati 8%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat