Shqipëria Postuar më 20 Shkurt 2026, 11:35

Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet, cilat janë rreziqet? - Analiza/ Primi i diferencuar mund të jetë barrë për shtresat më të varfra

Nga Elisabeta Dosku

Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet, cilat janë rreziqet? -

Sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet dhe përmbytjet, mund të jetë një instrument që ofron mbrojtje reale për qytetarët, por nga ana tjetër mund të krijojë një barrë të re financiare për qytetarët me më pak të ardhura.

Sipas një analize të bërë nga ALTAX, referuar versionit të fundit të draftit të hartuar nga Ministria e Financave, thuhet se bazimi i primit mbi nivelin e riskut është parim ekonomikisht i shëndoshë, por socialisht delikat.

Sipas analizës,  zonave më të ekspozuara ndaj tërmeteve ose përmbytjeve, që shpesh përkojnë me të ardhura më të ulëta dhe ndërtesa më të dobëta do tu takojnë prime më të larta. Kjo logjikë aktuariate është korrekte teknikisht, por pa një komponent solidariteti (subvencione të drejtuara ose kufizime për shtresat në nevojë) mund të prodhojë diferencime territoriale dhe sociale që e bëjnë skemën të papranueshme për një pjesë të madhe të popullsisë. Dhe në këtë pikë, analiza thekson se drejtësia aktuariate nuk duhet të sakrifikojë drejtësinë sociale.

Po ashtu, nënvizohet se qëndrueshmëria afatgjatë e këtij sigurimi të detyrueshëm varet nga disa vendime kyçe.  Për këtë arsye rekomandohet që drejtësia dhe proporcionaliteti i primit duhet të arrihen duke kombinuar riskun real me mekanizma solidariteti, që skema të mos bëhet taksë regresive për familjet e varfra. Mbrojtja e klientëve dhe transparenca, thuhet se kërkojnë auditim të pavarur, procese të shpejta vlerësimi dhe informim të plotë, për të shmangur abuzimet dhe humbjen e besimit.

Stabiliteti fiskal, ndërkaq kërkon që fondi të mbetet i dedikuar ekskluzivisht për dëmshpërblime, risigurim dhe operacione, pa rrezik ridistribucioni për deficitin buxhetor të përgjithshëm, siç parashikon edhe kuadri i Ligjit Organik të Buxhetit. Në rast katastrofe të madhe, presioni indirekt mbetet real dhe mund të kërkojë kapitalizim fillestar të fortë e risigurim ndërkombëtar.

Analiza del në konkluzion se reforma ka potencial të madh të mbrojë mijëra familje nga fatkeqësitë natyrore dhe të nxisë ndërtim më të sigurt. Por për ta bërë këtë realitet, duhet të jetë mbi të gjitha e drejtë, transparente dhe e qëndrueshme fiskalisht. Kjo qasje, sipas ALTAX,  garanton që sigurimi i detyrueshëm i banesave do të shërbejë si mburojë për të gjithë, e jo si barrë shtesë për më të pafuqishmit.

Shqipëria 20 Shkurt Edel Strazimiri

Si është mbyllur kjo javë për valutat kryesor?

Dollari amerikan e ka mbyllur këtë javë në paqëndrueshmëri duke pësuar luhatje të vazhdueshme teksa është blerë mëngjesin e sotëm me 81.5 lekë dhe është......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat