Shqipëria Postuar më 15 Dhjetor 2025, 12:09

Sigurimet, shqiptarët paguajnë vetëm kur detyrohen - AMF: Motoriku dhe jeta e debitorit, dominojnë. Zero kontrata për 9 lloje produktesh të tjera

Nga Ledina Elezi

Sigurimet, shqiptarët paguajnë vetëm kur detyrohen - AMF:

Kur vjen çështja te sigurimet, shqiptarët vijojnë të paguajnë vetëm për ato që janë të detyrueshme, me sigurimin MTPL të brendshme që mban një rekord. Përgjegjësia motorike ndaj palëve të treta zë 62% të të gjitha primeve të shkruara bruto të kompanive të sigurimit.

Ndërkohë, produkti që shqiptarët zgjedhin më shumë në kategorinë e jetës është ai i sigurimit të jetës së debitorit dhe kjo për shkak të detyrimeve të vendosura nga banka ndaj kredimarrësit. Në rastin e humbjes së jetës së kredimarrësit për shkaqe natyrore apo aksidentale dhe paaftësisë së plotë e të përhershme si rrjedhojë nga aksidenti, kompania e sigurimit do t'i paguajë bankës, për llogari të kredimarrësit, shumën e mbetur të principalit për kredinë e përcaktuar në policë, duke çliruar familjen e personit kredimarrës nga pagesa e kredisë së mbetur.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, sigurimi i jetës së debitorit zë gati 79% të të gjithë kontratave në kategorinë e sigurimit të jetës.

Produktet më pak të zgjedhura janë ato të sigurimit të jetës së studentit, jetës së nxënësit dhe studentit, sigurimi i mbijetesës dhe jetës së kombinuar, të cilat rezultojnë edhe me një rënie kontratash në janar-tetor të këtij viti.

Ndërkohë, te kategoria e jo-jetës, sigurimi i përgjegjësisë civile të avionëve dhe anijeve nuk preferohen shumë.

Por cilat janë produktet më “të pazakonta” të sigurimit që nuk i zgjedh askush?

Në kategorinë e sigurimeve të jo-jetës, sigurimi i mjeteve lëvizëse, sigurimi i avionëve dhe ai i kreditit ofrohen nga kompanitë, por rezultojnë me zero kontrata. Po ashtu, në kategorinë e sigurimit të jetës, policat e jetës së depozitorit, jeta dhe aksidentet e sportistëve, sigurim anuitie, sigurim i martesë-lindjes, sigurim jete i lidhur me fondet e investimit, administrimi i fondeve kolektive, nuk zgjidhen nga askush.

Kështu, kompanitë e sigurimit ofrojnë një larmi produktesh, por qytetarët zgjedhin të paguajnë për ato që janë të detyrueshme dhe domosdoshme për ta, duke nisur nga motoriku, prona dhe jeta e debitorit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat