Shqipëria Postuar më 24 Dhjetor 2025, 10:09

Si u rrit paga minimale në 30 vite? - Nga 3 mijë në 50 mijë lekë, nga 1995 deri në 2026

Nga Diamila Leka

Si u rrit paga minimale në 30 vite? - Nga 3 mijë në 50 mijë

Paga minimale në Shqipëri ka qenë një nga instrumentet kryesore të politikës sociale dhe ekonomike gjatë tri dekadave të fundit. Që nga viti 1995 e deri në janar 2026, ajo është ndryshuar mbi 20 herë, duke reflektuar tranzicionin ekonomik të vendit, inflacionin, presionin social për rritje të të ardhurave dhe përpjekjet për formalizimin e tregut të punës.

Në vitin 1995, paga minimale u fiksua për herë të parë në nivel kombëtar në rreth 3 mijë e 400 lekë në muaj. Një vit më pas, ajo u rrit në 4 mijë e 400 lekë, ndërsa pas krizës së vitit 1997, në vitin 1999, paga minimale arriti në 6 mijë e 380 lekë, duke shënuar rifillimin e rregullimeve zyrtare.

Periudha 2000–2006 u karakterizua nga rritje pothuajse vjetore. Nga 7 mijë lekë në vitin 2000, paga minimale arriti në 14 mijë lekë në vitin 2006, në përpjekje për të ndjekur inflacionin dhe për të nxitur deklarimin real të pagave.

Rritjet vijuan edhe në vitet pasuese. Në periudhën 2008–2013, paga minimale u dyfishua gradualisht, duke kaluar nga 17 mijë në 22 mijë lekë. Megjithatë, edhe pas këtyre rritjeve, ajo mbetej ndër më të ulëtat në Europë.

Pas një periudhe ngadalësimi, paga minimale u rrit sërish në vitin 2017 në 24 mijë lekë dhe në vitin 2019 në 26 mijë lekë, si pasojë e rritjes së kostos së jetesës.

Një kthesë e fortë u shënua pas pandemisë. Në vitin 2021, paga minimale u rrit në 30 mijë lekë, për të vijuar në 32 mijë në vitin 2022. Në vitin 2023, fillimisht u rrit në 34 mijë lekë, ndërsa në prill u miratua një nga rritjet më të mëdha historike, duke e çuar në 40 mijë lekë në muaj.

Ky nivel mbeti i pandryshuar gjatë viteve 2024 dhe 2025. Ndërkohë, sipas vendimit të fundit, nga janari 2026, paga minimale në Shqipëri do të rritet në 50 mijë lekë në muaj, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat