Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2025, 10:54

Si u nda “torta” e buxhetit në 7 muaj? - Investimet rriten me 84 milionë euro, bien pagesat sociale

Nga Elisabeta Dosku

Si u nda “torta” e buxhetit në 7 muaj? - Investimet rriten me

Buxheti i shtetit shpenzoi afro 4 miliardë euro në 7 muajt e parë të 2025-ës, duke shënuar një rritje prej 518 milionë euro në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar një analize të bërë nga “ALTAX”, shpenzimet totale deri në Korrik  u rriten me +14.9% krahas 2024-ës, duke ruajtur deficit prej 32.6 miliardë lekësh, afro 40% më i ulët se një vit më parë, por akoma sfidues për stabilitetin fiskal.

Por si është ndarë torta e buxhetit në këto muaj?

Rritje e ndjeshme në shpenzimet kapitale +25% krahas 2024, me përqendrim në financimin e brendshëm (+44.2%), pavarësisht tkurrjes së financimit të huaj (-8.1%).

Konkretisht për investime shkuan 419 milionë euro, me një kapërcim prej 84 milionë eurosh në raport me janar-korrik 2024.  Edhe në raport me planin e periudhës regjistrohet një rritje me 12,2%.

Po ashtu theksohet se kjo periudhë ka pasur përqendrim të fortë në personelin shtetëror me shpenzimet për paga dhe kontribute shoqërore, të cilat arritën +19.4%, duke reflek­t­uar formalizimin dhe mbështetjen për punonjësit.

Konkretisht për paga u shpenzuan në total 728 milionë euro, nga 609 milionë euro të shpenzuara në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Altax” nxjerr në pah se vihet re dobësi në financimin lokal me -7.9% më pak financime se plani për bashkitë, të cilat humbasin potencialin për të shfrytëzuar flukset turistike dhe për të investuar në nivel lokal.

Po ashtu theksohet se vetëkufizimi i mbështetjes sociale, ku pagesat për papunësinë, ndihmën ekonomike e bonuset për lindjet kanë rënë krahas planit dhe vitit të kaluar, një sinjal shqetësues për drejtim e politikave sociale. Buxheti i disburuar për këtë zë arriti në 142 milionë euro me një rënie prej 15 milionë eurosh në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Deficiti është në nivelin e parashikuar, por shpenzimet e menjëhershme kërkojnë rigorozitet maksimal për të ruajtur ekuilibrin ekonomik.

Analiza del në konkluzion se qeveria “Rama 3” mbyllet me një profil buxhetor që i jep përparësi infrastrukturës dhe formalizimit të administratës, por me kosto sociale dhe vendore të rëndësishme.

Ndërsa qeveria “Rama 4” që pritet të krijohet së shpejti do ta gjejë buxhetin me një barrë investimesh kapitale, por një koncept ditor ku bashkitë e shtresat më të dobëta kërkojnë kujdes më të madh buxhetor dhe balancim më të drejtë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat