Shqipëria Postuar më 19 Shkurt 2025, 13:49

Si po ndryshon sistemi bankar në 2025?-Nga Ziraat, Banka e Zhvillimit dhe tashmë te përfaqësia e BEI

Nga Ledina Elezi

Si po ndryshon sistemi bankar në 2025?-Nga Ziraat, Banka e Zhvillimit dhe

Nga banka bujqësore turke Ziraat, Banka Shqiptare e Zhvillimit dhe tashmë te Banka Evropiane e Investimeve që pritet të ketë një zyrë përfaqësimi në Shqipëri, si pritet të ndryshojë struktura e sistemit financiar të vendit?

Aktualisht, në Shqipëri operojnë 11 banka, shumica prej tyre me kapital të huaj dhe një pjesë më e vogël me kapital vendas. Prej 19 vitesh, në Shqipëri rezulton të mos jetë licencuar asnjë bankë e re.  Gjatë vitit të kaluar, Banka Ziraat paraqiti një kërkesë pranë Bankës së Shqipërisë për licencimin e degës së saj të parë në Tiranë. Nëse Banka e Shqipërisë licencon Ziraat në 2025, ajo do të jetë banka e dytë me kapital turk në Shqipëri. Një bankë e tillë, e cila është e specializuar për huadhënien ndaj bizneseve që operojnë në fushën e bujqësisë, pritet ta rrisë më tej mbështetjen financiare ndaj këtij sektori.

Nga ana tjetër, në muajin janar u publikua për konsultim publik projektligji mbi ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, e cila do të ofrojë mbështetje për sektorët e nënfinancuar dhe do të ketë rol plotësues ndaj financimeve të ofruara nga institucionet tregtare. Kjo bankë do të ofrojë gjithashtu mundësi për qytetarët që të investojnë në depozita, apo në tituj qeveritarë, por me një normë më të ulët interesi se bankat tregtare.

Ndërkohë, Zyra e Përfaqësimit të Bankës Popullore Pulieze në Shqipëri, të cilës ju hoq licenca në 2014, ka qenë e vetmja zyrë përfaqësimi e një banke të huaj në vend. Zyra të tilla licencohen me qëllim studimin e tregut dhe të kërkesave të publikut për produkte bankare në tregun shqiptar dhe nuk ushtrojnë veprimtari bankare, apo financiare.

Me miratimin së shpejti në Kuvend, edhe Banka Evropiane e Investimeve pritet të hapë një degë përfaqësimi në Shqipëri. Parashikohet që përmes kësaj dege, BEI të shtojë investimet ndaj sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare nëpërmjet kredive me kushte të favorshme.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat