Shqipëria Postuar më 6 Shkurt 2026, 12:20

Si përllogaritet sigurimi i detyruar nga përmbytjet? - Formula/ Merren në konsideratë zonat, lartësia e ndërtesës dhe cilësia

Nga Elisabeta Dosku

Si përllogaritet sigurimi i detyruar nga përmbytjet? - Formula/ Merren

Ndryshe nga sigurimi i tërmeteve, detyrimi ligjor për t’u siguruar nga përmbytjet nuk do të shtrihet në të gjithë vendin, por vetëm në ato zona me risk të lartë.

Qeveria ka përcaktuar parimet mbi të cilat do të ndërtohet formula e primit të sigurimit të detyrueshëm nga përmbytjet, që pritet të aplikohet për banesat në zonat me risk të lartë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas projektligjit, përllogaritja e primit do të bazohet në një model kombëtar të rrezikut nga përmbytjet, i cili do të hartohet nga Fondi për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet dhe do të mbështetet në metodologji aktuariare dhe të dhëna historike hidrologjike.

Por ku bazohet formula?

Formula e primit nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë, por do të llogaritet mbi bazën e disa faktorëve teknikë të cilat marrin në konsideratë zonën gjeografike dhe nivelin e rrezikut. Pra banesat do të klasifikohen sipas zonave urbane, rurale dhe zonave me infrastrukturë kritike, në varësi të probabilitetit të përmbytjes.

Karakteristikat e ndërtesës.  Në formulë do të përfshihen vendndodhja e saktë, lartësia dhe numri i kateve, tipologjia e ndërtimit, materialet ndërtimore dhe përdorimi i ndërtesës (banim, biznes, etj.)

Skenarët e përmbytjes.  Për këtë faktor do të përdoren modele hidrologjike për të vlerësuar sa shpesh dhe me çfarë intensiteti mund të ndodhin përmbytjet në zona të caktuara.

Vlera e dëmeve të mundshme. Formula do të marrë parasysh: dëmet strukturore, dëmet e pajisjeve dhe inventarit, kostot e riparimit ose rikonstruksionit.

Faktorët e reduktimit të riskut.  Bazuar në këtë faktor, banesat që kanë masa mbrojtëse (p.sh. barriera kundër ujit, drenazh, sisteme mbrojtëse) do të përfitojnë një ulje të primit.

Metodologjia përfundimtare dhe formula e llogaritjes së primit do të miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Sigurimi i detyrueshëm nga përmbytjet do të hyjë në fuqi vetëm pasi të miratohet modeli i rrezikut, të përcaktohen zonat me risk, dhe të publikohet skema zyrtare e llogaritjes së primit.

Por si përkthehet kjo për qytetarët?

Referuar skemës së parashikuar, kjo do të thotë se nuk do të ketë një tarifë fikse për të gjithë por një prim i diferencuar sipas riskut real të çdo banese.  Përmbytjet janë një fenomen i përvitshëm në Shqipëri që prekin zona të caktuara, siç janë Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri, Vlora, etj, duke shkaktuare dëme të konsiderueshme në banesa.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat