Shqipëria Postuar më 20 Gusht 2026, 10:37

Si ndikon formalizimi i TVSH-së tek fermerët? - Guri: Rritet formalizmi, më shumë gjurmueshmëri për produktet

Nga Elisabeta Dosku

Si ndikon formalizimi i TVSH-së tek fermerët? - Guri: Rritet

Afro 15 milionë euro në total pritet të shpërndahen për fermerët në formën e kompensimit të TVSH-së me 10 për qind për faturat e shitjes së produkteve bujqësore. 

Në një intervistë për SCAN TV, Zv. Ministri i Bujqësisë, Fatmir Guri thekson se përpos mbështetjes financiare, ky mekanizëm ka një efekt të rëndësishëm në formalizimin e sektorit dhe rritjen e gjurmueshmërisë.

“Për ne është një instrument që e çon fermerin në atë që është shumë e rëndësishme për ne, formalizimin.  Përtej mbështetjes që është shumë e rëndësishme, është gjithashtu shumë e rëndësishme për ne që të kuptojmë që një pjesë e aktivitetit bujqësor, i cili deri një vit më përpara kryhej jashtë procesit të formalizimit, sot ai është i formalizuar. Dhe në këtë proces, nuk përfiton vetëm fermeri, por të gjitha hallkat e zinxhirit të shitjes deri tek konsumatori final. Sepse një proces i formalizuar është një është një proces në të cilin ne sigurojmë gjurmueshmërinë e produktit duke filluar nga prodhuesit deri tek konsumatori”.

I pyetur nëse ka ngërç midis grumbulluesve dhe fermerëve për lëshimin e faturave, Guri shprehet se të gjitha problematikat do të zgjidhen gradualisht

“Ky është një proces dhe si çdo proces në fillim ai ka vështirësitë e tij, por pikërisht ky është edhe elementi më i rëndësishëm që duhet të kemi në konsideratë. Me avancimin e aplikimit të këtij procesi, ky proces do të normalizohet për të kuptuar që edhe fermeri duhet të marrë faturën, por edhe grumbulluesi duhet të lëshojë faturën. Sigurisht që ky proces duhet të ndiqet edhe nga autoritetet përkatëse.”

Kjo skemë aplikohet për herë të parë në sektorin bujqësor, duke zëvendësuar në një farë mënyre mbështetjen që jepej për fermerët përmes skemës së naftës në bujqësi.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat