Shqipëria Postuar më 14 Dhjetor 2024, 11:52

Si është i ndarë borxhi i jashtëm i Shqipërisë? - BSH: Shumica i përket qeverisë, por nuk mbeten prapa as bankat dhe sektorë të tjerë

Nga Ledina Elezi

Si është i ndarë borxhi i jashtëm i Shqipërisë? -

Rreth 46.2% e borxhit të jashtëm të Shqipërisë zotërohet nga qeveria, ndërkohë që pjesa e mbetur paraqitet e shpërndarë midis sektorëve të tjerë, bankave të nivelit të dytë dhe Bankës Qendrore. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se nga 10 miliardë euro që është aktualisht borxhi i jashtëm i vendit tonë, gati 4.6 miliardë euro rezultojnë detyrime të qeverisë.

Në fund të muajit shtator, detyrimet e qeverisë për sa i përket borxhit të jashtëm janë në instrumente afatgjata, të tilla si hua, obligacione dhe dëftesa. Borxhi i jashtëm i qeverisë u tkurr me 123 milionë euro në përfundim të tremujorit të dytë të 2024-ës, ku detyrimet e borxhit në formën e huave afatgjata dhe ato në formën e obligacioneve ranë përkatësisht me 103 milionë euro dhe 19 milionë euro.

Nga ana tjetër, bankat e nivelit të dytë zotërojnë rreth 20.1% të borxhit të jashtëm, autoriteti monetar, pra Banka e Shqipërisë zotëron vetëm 2.2% dhe kategoria e sektorëve të tjerë rreth 31.6%. Detyrimet e Bankës së Shqipërisë ndaj borxhit të jashtëm shënohen në 219 milionë euro, me ulje 7 milionë euro, dhe kjo kryesisht për shkak të kursit të këmbimit.

Ndërkohë, detyrimet ndaj të borxhit të jashtëm nga institucione financiare si bankat tregtare, apo shoqëritë e kursim-kreditit, janë regjistruar në 2 miliardë euro, shifër kjo në rritje referuar fundit të tremujorit të dytë 2023. Në masën më të madhe, pra 74% e totalit të detyrimeve të këtij sektori është në maturitetin afatgjatë në formën e monedhave dhe depozitave.

Gjatë tremujorit të tretë 2024, borxhi i jashtëm i sektorëve të tjerë u ngushtua me 42 milionë euro në nivelin 3,159 milionë euro. Lëvizjet kryesore reflektojnë efektin e agreguar të rënies së detyrimeve të borxhit mes kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt si investime direkte - hua ndërkompani, si dhe rënies së detyrimeve në formën e kredive tregtare dhe paradhënieve.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat