Shqipëria Postuar më 27 Nëntor 2025, 11:54

Si do të tregtohen kripto-asetet në Shqipëri? - Platformat nën “lupë”, ligji i ri ndalon operimin pa autorizim nga AMF dhe BSH

Nga Ledina Elezi

Si do të tregtohen kripto-asetet në Shqipëri? - Platformat

Shqipëria po hedh një hap vendimtar drejt rregullimit të tregut të kripto-aseteve, përmes një projektligji të ri që përkufizon për herë të parë mënyrën se si do të funksionojnë shërbimet, platformat dhe emetuesit e kriptomonedhave në vend.

Një nga shtyllat kryesore të projektligjit është licencimi i detyrueshëm i të gjitha kompanive që ofrojnë shërbime kripto. Vetëm subjektet e autorizuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ose Banka e Shqipërisë do të kenë të drejtë të operojnë si platforma tregtimi, të kryejnë këmbime, të ofrojnë shërbime kujdestarie të kriptove, të ekzekutojnë urdhra apo të administrojnë portofola. Kjo pritet të krijojë një mjedis më të sigurt për përdoruesit, duke shmangur praktikat e paligjshme apo mashtruese.

Për herë të parë rregullohen edhe stablecoins, pra tokenët që mbajnë vlerë të qëndrueshme të lidhur me një monedhë apo aset. Emetuesit e tyre duhet të kenë rezerva reale dhe të garantojnë shlyerjen e menjëhershme të vlerës për përdoruesit. Për shembull, nëse krijohet një stablecoin i lidhur me euron, kompania duhet të mbajë në bankë të njëjtën shumë euro sa tokenë ka hedhur në qarkullim. Ligji ndalon dhënien e interesit mbi këto instrumente, duke i dalluar qartë ato nga produktet e kursimit.

Projektligji vendos një theks të fortë edhe te mbrojtja e konsumatorit. Çdo token i ri që ofrohet për publikun duhet të ketë një dokument informues të detajuar, të qartë dhe të verifikueshëm, ku shpjegohen rreziqet, funksionaliteti dhe teknologjia e përdorur. Reklamat mashtruese dhe informacionet e pasakta ndalohen, ndërsa subjektet mbajnë përgjegjësi juridike për çdo gabim.

Një element i rëndësishëm është edhe integriteti i tregut. Ligji ndalon manipulimin e çmimeve, përdorimin e informacionit të brendshëm dhe vendosjen e urdhrave të rremë, duke kërkuar që platformat të kenë sisteme për të zbuluar dhe raportuar çdo abuzim. Për shembull, një kompani apo individ që shtyn çmimin e një tokeni përmes blerjeve të rreme, ose një punonjës platforme që përdor informacione të brendshme për të përfituar, do të përballet me masa të rënda administrative.

Në fushën e sigurisë digjitale, kompanitë duhet të kenë politika të qarta për mbrojtjen e të dhënave, kujdestarinë e çelësave privatë dhe menaxhimin e rreziqeve teknologjike. Asetet e klientëve duhet të mbahen të ndara nga asetet e kompanisë, për të garantuar mbrojtje në rast falimentimi.

Projektligji lidh drejtpërdrejt sektorin e kriptove me rregullat për parandalimin e pastrimit të parave, duke kërkuar identifikimin e plotë të klientëve dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta. Kjo nënkupton, ndër të tjera, se nuk është më e mundur të hapet llogari anonime për tregtim kriptomonedhash në platforma shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat